Presidenti Ilir Meta nuk iu ndahet mesazheve të koduara drejtuar kryeministrit Rama.
Teksa ka paralajmëruar protesta pas miratimit në Kuvend të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, Meta kujton protestat popullore në Kirgistan, që çuan në anulimin e zgjedhjeve dhe përsëritjen e tyre.
Presidenti thekson në mesazh se qytetarët e të gjitha vendeve të hapësirës së OSBE-së meritojnë zgjedhje të lira e demokratike!
Mesazhi i Metës:
Pas protestave popullore në Kirgistan, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mori vendimin për anulimin e zgjedhjeve parlamentare të zhvilluara së fundi në Kirgistan dhe vendosi përsëritjen e tyre në një kohë të afërt.
Me këtë rast, dëshiroj të përshëndes popullin kirgiz për guximin e treguar në denoncimin e parregullsive masive, veçanërisht atë të blerjes së votave nga forca pranë pushtetit, si dhe në përballjen me cënimin e rëndë që ju bënë lirive e të drejtave themelore të tij, duke i mohuar të drejtën për zgjedhje të lira e demokratike.
Qytetarët e Kirgistanit, si qytetarët e të gjitha vendeve të hapësirës së OSBE-së, meritojnë zgjedhje të lira e demokratike!


