Kryetari i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, tha sot se çështja e rekrutimit të inspektorëve në institucionin që ai drejton është shndërruar në një gangrenë.
I pranishëm në një seancë dëgjimore në Komisionin për Çështjet Ligjore, Metani bëri të ditur se nga 20 inspektorë që ka në organikë trupa e Inspektorëve në ILD, sot ka vetëm 10 inspektorë.
Metani se thirrjet janë hapur, por interesi është i ulët, duke sugjeruar dhe ndryshime ligjore.
“Ky është bërë gangrenë si proces. Është kërkesë në vijimësi. Ka rezultuar dhe në kërkesë për ndryshime ligjore për të mundësuar plotësimin e trupës së inspektorëve të ILD, për të pasur dhe inspektorë magjistratë. Nga 20 që duhet të ketë trupa e inspektorëve në ILD, janë 10 në detyrë, 4 magjistratë prokurorë dhe 6 janë jo magjistratë. Thirrjet janë bërë herëpashershme. 8 thirrje deri tani, asnjë interes për t’u bërë pjesë e trupës së inspektorëve të ILD”, theksoi Metani.
Kreu i ILD tha se “gjatë vitit 2022 janë bërë disa thirrje, në 2023 nuk janë bërë thirrje, me argumentimin se sistemi nuk ofron mundësi për të sjell prokurorë pranë ILD. Edhe ata që janë me 13 vite eksperiencë, janë të nevojshëm për punën e prokurorisë, që është në fazë jetike për sa i takon kërkesës për trupë prokurorësh”.
“Këshillit të Lartë të Prokurorisë unë i kam dërguar dhe një letër të dytë, ku i kam kërkuar të jetë më i vëmendshëm për plotësimin e burimeve njerëzore për të kryer detyrime funksionale, jo lukse. KLP duhet të bëjë edhe njëherë shpalljen. Në dijeninë time ka kërkesë, kur s’ka gjyqtarë, të paktën të marrim prokurorë”, përfundoi Metani.