Fëmijët në Siri, në vendin ku për të shtatin vit vazhdojnë luftimet, janë të privuar nga të drejtat themelore, ndër të cilat janë edhe e drejta për mbrojtje nga dhuna, mbijetesa (ushqimi, strehimi, shëndetësia), por edhe shkollimi.
Më 20 nëntor në mbarë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve.
Fëmijët në Siri, megjithatë, pothuajse nuk dinë se si është të kenë një shtëpi të sigurtë, disa vakte në ditë dhe të shkojnë në shkollë.
Pasojat e konflikteve, të cilat në Siri vazhdojnë që nga viti 2011, më së shumti i kanë ndier fëmijët, tregojnë raportet e Shoqatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Refugjatëve. Një pjesë e madhe e tyre largohen nga shkolla për të ndihmuar në sigurimin e ushqimit për familjet e tyre.
Nënkryetari i Shoqatës, Resul Demir, për AA tha se nga lufta më së shumti janë prekur fëmijët.
“Ata ndoshta janë qeniet më të dobëta në botë dhe kanë nevojë për mbrojtje më të madhe. Ligjet ndërkombëtare përcaktojnë të drejtat e fëmijëve, megjithatë, gjatë gjashtë viteve të fundit kemi parë se kur bëhet fjalë për fëmijët sirianë, gjithë njerëzimi, së bashku me ligjet ndërkombëtare, ka dështuar”, tha Demir.
Ai shtoi se raporti i UNICEF-it, i publikuar në shtator 2017, tregon se efektet e konfliktit në Siri i kanë ndier 8.5 milionë fëmijë.
“Prej këtyre, më shumë se gjashtë milionë janë në Siri, ndërsa rreth 2.5 milionë fëmijë janë jashtë kufijve të saj”, shpjegon Demir.
Sipas tij, dy milionë fëmijë të cilët ndodhen në atë vend nuk shkojnë në shkollë.
Muhammad Omer Sellum nuk e di se ku është babai i tij për gjashtë vjet.
“Babai im u arrestua nga regjimi i Asadit gjashtë vjet më parë. Që atëherë nuk e dimë se ku është”, tha Sellum, i cili jeton në një kamp refugjatësh në Idlib.
Ai tha se do të donte të jetonte në një shtëpi me mure, në vend të një tende.
“Do të doja të kisha një park ku do të mund të luaja me vëllain dhe motrën time, të kisha një spital ku do të mund të trajtohesha në rast të sëmurjes. Dëshira ime e vetme është që të kemi një jetë normale si fëmijët e tjerë anembanë botës”, shtoi ai.
Sahhud Derma (13) tashmë një peridhë të gjatë nuk ka shkuar në shkollë por punon për të ndihmuar në sigurimin e ushqimit për familjen. Ai tha se familja e tij është e madhe dhe duhet të punonte për të ndihmuar babanë e tij.
Ai ka humbur gishtat e dorës në sulmin e forcave të regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad, por pavarësisht kësaj, ai shet karburant përskaj rrugës dhe kështu kontribuon në buxhetin shtëpiak.
“Para se të filloja të punoja, isha nxënës i klasës së katërt. Do të doja që gjendja jonë materiale të përmirësohet dhe të shkoj në shkollë”, tha Derma.
Në një nga sulmet e shumta ajrore në Siri ishte plagosur edhe vajza Emel el-Gafir.
“Isha në një udhëtim familjar kur forcat e Asadit kryen sulmin. Atëherë e humba këmbën e majtë. Më vonë fillova të ecja me një protezë”, tha ajo.
Emel tha se dëshiron që fëmijët në mbarë botën të jenë gjithmonë të lumtur dhe askush të mos vuaj. /Rtv Islam/