Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka pritur sot në takim e Shoqatës së të Verbërve të Kosovës për të diskutuar rreth shqetësimeve të këtij komuniteti për objektin e Qendrës Burimore “Dr. Xheladin Deda” në Pejë.
Kreu i MASHT i premtoi mbështetje në të gjitha aspektet si dhe në atë fianciar sa të jetë e mundur.
Po ashtu, Bytyqi tha se kjo ministri do të ofrojë programe për të verbërit.
Ja postimi i plotë në ‘Facebook’:
Është synimi ynë krijimi i kushteve të nevojshme për komunitetin e të verbërve
Sot, prita në takim kryetarin e Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, z. Daut Tishuku, me të cilin bisedova rreth shqetësimeve të ngritura nga komuniteti i të verbërve rreth çështjes së objektit të Qendrës Burimore “Dr. Xheladin Deda”, në Pejë.
Lidhur me këtë, kam shprehur keqardhje për shqetësimin që ata kanë, ku me të marrë informacionet e para, ne kemi marrë hapat e nevojshëm duke kundërshtuar veprime të tilla, madje kemi kontaktuar menjëherë Ministritë e përfshira në këtë proces dhe Komunën e Pejës.
Pas takimeve të zhvilluara jemi dakorduar që një veprim i tillë të mos ndodh derisa të marrim një qëndrim zyrtar nga vet Qendra Burimore dhe nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës, dhe besoj shumë që këtë çështje do ta mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme dhe së shpejti do të marrim një vendim adekuat.
Sa i përket çështjes së trajnimeve dhe ofrimin e programeve për të verbëritë, shpreha qëndrimin tonë se ne jemi të interesuar që të mbështesim të gjitha kategoritë me nevoja të veçanta dhe se kërkesat e tyre do të merren në konsideratë, e do të trajtohen seriozisht në çdo kohë.
MAShT do të ofrojë mbështetjen e saj me të gjitha mundësitë që ka qoftë me ofrimin e trajnimeve, por edhe mbështetje financiare brenda mundësive të Ministrisë, madje do të kërkojmë mbështetje edhe nga donatorët, sepse edukimi i mirëfilltë dhe krijimi i kushteve të nevojshme për këtë kategori të shoqërisë tonë është shumë i rëndësishëm./Kosova Post/


