
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka bërë të ditur se ka realizuar premtimin e dhënë për ndërtimin e sallës së edukatës fizike në shkollën që mban emrin e dëshmorit “ Haxhi Hoti” në Rogovë të Gjakovës.
Ministri Bytyqi tha se ndjehet i kënaqur për jetësimin e këtij premtimi të dhënë një vit më parë, e mbi të gjitha për faktin se nxënësit meritojnë kushte si të gjithë të rinjët.
Ndër të tjera, Bytyqi u zotua se do të vë gurëthemele edhe të shkollave e sallave të reja me standarde perëndimore.
Ndryshe, ndërtimi i një salle në një shkolle e gëzon shumë ministrin, por nuk duket se e ka hidhëruar vendimi për mbylljen e tri universiteteve në disa qytete të Kosovës, andaj a mund ta quajmë një shkollë sukses apo dështim për mbylljen e universiteteve.
Postimi i Plotë i Bytyqit pa ndërhyrje:
Është kënaqësi kur realizohen premtimet e dhëna për kushte më të mira në arsim.
Një vit më parë isha për vizitë në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Haxhi Hoti” në Rogovë të Gjakovës, ku dhe isha zotuar publikisht se shumë shpejt ketë shkollë do ta bëjmë më sallë të sporteve.
Sot, një vit më pas, bashkë me deputetin e zonës z. Veton Berisha, zëvendësministrin z. Artan Berisha, kreun e Nismës në Gjakovë, z. Fazli Hoxha dhe drejtues tjerë të komunës së Gjakovës, kemi vënë gurëthemelin e sallës së edukatës fizike në shkollën që me krenari e mban emrin e dëshmorit Haxhi Hoti.
Ndihem i nderuar dhe shumë i kënaqur për jetësimin e një premtimi të dhënë një vit më parë, mbi të gjitha i kënaqur për faktin se nxënësit meritojnë që tu krijojmë kushte sa më të mira, që të përjetojnë standarde si gjithë të rinjtë tjerë.
Ne si Ministri e Arsimit, zotohemi që të vëmë sa më shumë gurëthemele të shkollave dhe sallave të reja me standarde perëndimore.




