Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot me 74 vota pro të Partisë Socialiste, 0 kundër, 0 abstenim, marrëveshjen e huasë ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të Financimit të Jashtëm Ushtarak (FMF).
Shqyrtimi u zhvillua në një seancë me dyer të mbyllura, pasi mazhoranca argumentoi se dokumenti përmban informacion të klasifikuar, ndërsa procesi i votimit ishte i hapur.
Ashtu siç paralajmëroi, Partia Demokratike dhe aleatët e saj nuk po morën pjesë në seancë. PD në parim u shpreh pro kësaj marrëveshje, por e konsideroi antikushtetuese futjen me procedurë të përshpejtuar.
Marrëveshja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës parashikon një hua prej 302 milionë dollarësh për financimin e modernizimit të Forcave të Armatosura, që do të mundësojë blerjen e pajisjeve, sistemeve dhe shërbimeve sipas standardeve të NATO-s.


