Mogherini: Marrëveshja për emrin, historike për të dy vendet

Mos i humb

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, me rastin e Marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit maqedono-grek për emrin dhe partneritetit strategjik, tha se kjo është një ditë historike për të dy vendet, por edhe për BE-në dhe Ballkanin.

“Kjo është një ditë historike për të dy vendet, por edhe për Bashkimin Europian dhe Ballkanin”, tha Mogherini, e cila mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit për emrin.

Ajo tha se shumë njerëz ishin skeptikë rreth marrëveshjes, ndërsa kryeministrat dhe ministrat e Jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë punuan me përkushtim për ta arritur atë.

“Të dyja palët na bënë krenarë, ne, evropianëve me fito-fito zgjidhjen që ata nënshkruan. Shpresoj se kjo do të jetë një frymëzim për shumë njerëz në rajon që të marrin hapa të guximshëm, si dhe për të gjithë Europën. Kjo marrëveshje i ka treguar Evropës dhe botës se çdo problem mund të zgjidhet përmes dialogut dhe lidershipit”, tha Mogherini.

Mogherini shtoi se BE-ja do të monitorojë zbatimin e marrëveshjes, sepse, siç tha, ajo nuk është e rëndësishme vetëm për të dy vendet, por edhe për Europën dhe botën.

– “Marrëveshja një kompromis i mirë”

“Duhej shumë kohë dhe shumë rrugë që të arrijmë atje ku ndodhemi sot. Kjo është një ditë historike dhe mundësi për qytetarët e ardhshëm të Maqedonisë së Veriut të marrin përgjigje pozitive për integrimet euro-atlantike. Në fund të ditës, të gjithë do të shohin se marrëveshja është një kompromis i mirë në të cilin të gjithë marrin diçka”, tha komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë së mirë, Johannes Hahn.

Ai deklaratën e dha pas nënshkrimit të Marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit maqedono-grek për emrin dhe partneritetit strategjik.

Kujtojmë se Qeveritë e Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë sot në anën greke të liqenit të Prespës e nënshkruan Marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit maqedono-grek për emrin dhe për partneritet strategjik sipas të cilës Maqedonia do ta ndryshojë emrin e saj në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit maqedono-grek për emrin dhe për partneritet strategjik e nënshkruan ministrat e Jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias, bashkë me ndërmjetësin në bisedimet, ambasadorin në OKB, Matthew Nimetz.

Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë kryeministrat e Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, bashkë me delegacionet e tyre./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit