Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, raportoi sot në Komisionin për Politikën e Jashtme mbi ecurinë e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian për Kapitullin 1 “Lëvizja e lirë e mallrave” dhe Kapitullin 30 “Marrëdhëniet me jashtë”.
Duke u ndalur te Kapitulli 1, Musabelliu theksoi se ky është një kapitull që fokusohet në legjislacionin që lidhet me standardet dhe rregullat teknike të mallrave.
Ai bëri të ditur se negociatat për këtë kapitull janë hapur në fillim të vitit 2025 dhe Shqipëria ka vijuar punën për adresimin e piketave përmbyllëse në bashkëpunim me Komisionin Evropian.
Sipas Musabelliut, kapitulli përmban tre piketa kryesore përmbyllëse.
Piketa e parë lidhet me reduktimin e barrierave jotarifore në tregti.
“Shqipëria ka një nivel të avancuar përputhshmërie sa i përket dispozitave të njohjes reciproke dhe ndryshimeve në legjislacionin e brendshëm, në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga Traktati për Funksionimin e Bashkimit Evropian”, tha ai.
“Ky është një nga proceset më sfiduese, pasi nenet 34 dhe 36 të Traktatit përcaktojnë parimet e përgjithshme për lëvizjen e lirë të mallrave, ndërsa secili vend duhet të identifikojë barrierat jotarifore dhe të marrë masa për eliminimin e tyre”, u shpreh Musabelliu, ndërsa informoi se plani i veprimit për këtë proces është përgatitur që në vitin 2020, ndërsa në shtator 2025 është dorëzuar pranë shërbimeve të Komisionit Evropian.
“Që prej asaj kohe janë zhvilluar shkëmbime të vazhdueshme lidhur me masat dhe afatet për eliminimin e barrierave të identifikuara. Në kuadër të këtij plani janë analizuar gjithsej 98 akte ligjore dhe nënligjore, nga të cilat janë identifikuar 65 masa ose pengesa që ndikojnë në tregtinë e lirë ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian”, vijoi ai.
Musabelliu tha se “piketa e dytë përmbyllëse lidhet me përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë evropian, ndërsa bëri të ditur se Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit është përgjegjëse për 27 akte që lidhen me rregullat teknike të mallrave të tregtuara në Shqipëri.
Ai theksoi se puna po vijon në mënyrë të koordinuar ndërmjet institucioneve përgjegjëse për hartimin e legjislacionit dhe dërgimin e tij për komente pranë Komisionit Evropian, me qëllim miratimin e mëtejshëm sipas procedurave të legjislacionit shqiptar.
Piketa e tretë lidhet me forcimin e kapaciteteve administrative dhe institucionale. Sipas Musabelliut, Shqipëria duhet të krijojë para anëtarësimit zyrën e ndërlidhjes dhe pikën e kontaktit për produktet, struktura që do të koordinojnë zbatimin e legjislacionit për lëvizjen e lirë të mallrave pas anëtarësimit në BE.
Musabelliu shtoi se këto struktura parashikohet të ngrihen pas vitit 2027, ndërsa do të nevojiten investime në rritjen e kapaciteteve në fushën e metrologjisë, standardizimit dhe mbikëqyrjes së tregut.
Gjatë diskutimeve, deputeti i Partisë së Lirisë Edmond Haxhinasto ngriti shqetësimin për mbrojtjen e interesave të ekonomisë shqiptare gjatë procesit të harmonizimit me kërkesat e Bashkimit Evropian.
Ndërsa, deputeti i PD-së Enno Bozdo vuri theksin te nevoja për forcimin e kapaciteteve të inspektimit dhe mbikëqyrjes së tregut, duke e konsideruar këtë një ndër elementët më të rëndësishëm të kapitullit.
Deputetja e PS-së Romina Kuko e cilësoi Kapitullin 1 si një kapitull me rëndësi të veçantë për bizneset shqiptare, duke theksuar sfidat që lidhen me konkurrueshmërinë, certifikimin dhe integrimin në tregun e përbashkët evropian, veçanërisht për produktet joushqimore, zejet dhe industrinë e lehtë.
Sa i takon Kapitullit 30 “Marrëdhëniet me jashtë”, Musabelliu tha se Shqipëria ndodhet në një fazë shumë të avancuar të përgatitjeve.
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit shpjegoi se ky kapitull përmban gjithashtu tre piketa përmbyllëse.
Piketa e parë lidhet me forcimin e kapaciteteve administrative për të garantuar që marrëveshjet ndërkombëtare të Shqipërisë të jenë në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Piketa e dytë kërkon bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian për çdo ndryshim në politikat tregtare dhe përafrimin e plotë me qëndrimet e vendeve anëtare të BE-së.
Ndërsa piketa e tretë tha Musabelliu parashikon që Shqipëria të sigurojë deri në momentin e anëtarësimit, të gjitha marrëveshjet tregtare dhe traktatet dypalëshe me vendet e treta të jenë në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.


