
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vendosur taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës, për t`i mbuluar dështimet që e kanë kapluar qeverinë e tij, ka thënë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
Ai në një postim të gjatë në Facebook, ka thënë se ndonëse masa ndaj produkteve të Serbisë është e merituar, ajo është marrë në kohën jo të duhur.
“Dihet se taksa u vu një ditë pasi Qeveria dështoi të anëtarësoj Kosovën në Interpol. Dështimi iu vesh Serbisë me të drejtë, por për këtë dështim nuk u fajësua askush në Kosovë që nuk e bëri punën mirë. Që ta mund Serbinë. Taksa mbuloi çdo gjë, i mbuloi të gjitha dështimet dhe po vazhdon t’i mbuloj edhe më tutje”, ka shkruar ai.
Mustafa ka thënë se LDK-së nuk i takon që të jep këshilla se çfarë duhet të bëjë Qeveria për taksën. Kjo pasi sipas tij, Haradinaj ka 35 këshilltarë e 80 zëvendësministra për t`u konsultuar.
“LDK nuk e ka propozuar taksën, nuk ka ngarendë të merr merita dhe LDK nuk konsideron se i takon asaj të shprehet se çfarë duhet të bëjë Qeveria me taksën. Kryeministri i ka 35 këshilltarë e 80 zëvendësministra; sikurse edhe Kryetari i Kuvendit dhe zëvendëskryeministri (që u ofruan të marrin merita) le të konsultohen me njerëzit e vet. Ata janë aty për të dhënë ndihmesën e tyre në punët e shtetit, jo që me para të shtetit ta sulmojnë opozitën. Serbia po vazhdon aktivitetin e ndyre për tërheqje të njohjeve, por me te nuk po merren ndërkombëtarët. Të gjithë po merren me taksën e Kosovës”.
Ish-kryeministri, nuk ka kursyer nga kritikat as Presidentin.
“Taksa është bërë kusht nga Serbia për vazhdimin e dialogut, pra një lloj laure. Ne nuk i kemi vënë laura Serbisë. Se çfarë duhet të bëjë apo të mos bëjë për të vazhduar dialogu. Në momentin që ngrihet laura e taksës, askush nuk e di se ku e qon dialogu Kosovën. Askush nuk ka marrë siguri se Serbia do ta njohë Kosovë, askush nuk ka marrë garanci se nuk do të cenohet shtetësia e Kosovës. E vetmja gjë që vërehet është se dikujt po i ngutet?! Dhe e vetmja gjë që dihet është se punët e shtetit nuk bëhen me nguti. Institucionet e Kosovës, çdonjëra për vete lobon në SHBA e vende tjera përmes firmave lobuese me kontrata të dyshimta të nënshkruara nga ministra e zëvendësministra, apo nga Presidenca, pa e ditur kush se për çfarë po lobojnë dhe si po shpenzohen këto para publike. Tani edhe këto po i mbulon taksa. Por, jo përgjithmonë”, ka përfunduar ai.


