Muzikantët, të parët që duhet të heshtin sot për Lalon

Mos i humb

Nuk kam dashur kurrë të bëhem pjesë e koreve patetike në rastet e vdekjeve të artistëve, por largimi i Aleksandër Lalos është një moment që duhet të na bëjë të reflektojmë, ndoshta edhe pa i shpëtuar dot disa notave të një patetizmi që pashmangshëm që na e imponon realiteti.

E kam takuar personalisht Lalon në një studio në TVSH, ku tregonte sesi, që herët, kur muzika filloi të komercializohet, e kuptoi se ajo nuk mund të ishte më një zanat me të cilin mund të mbash familjen në këtë vend. Për këtë arsye, kish bërë, si me shaka, një “marrëveshje” me gruan për të këmbyer rolet. Pra, artisti do të qëndronte në shtëpi duke gatuar e bërë punët e shtëpisë, ndërsa gruaja do të dilte në punë për të siguruar të ardhurat. Me një autoironi therëse ai po godiste realitetin e trishtë të kulturës dhe shoqërisë shqiptare.

I mbushur me pezm duke parë çdo ditë përdhunimin e profesionit të tij nëpërmjet një kasaphane estetike që sot e quajmë “muzikë shqiptare”, të bastardizuar e vulgarizuar nga një industri që, më shumë se tinguj, shet tule mishtore vajzash të njoma, një artist si ai do të ndjente natyrisht se kjo është një botë së cilës nuk i përket. Kësaj bote, nuk mund t’i përkasë asnjë profesionist i mirë, asnjë qenie skrupuloze e parimore, asnjë njeri me dinjitet, që zanatin e tij e shikon si vlerë për shoqërinë, e jo si mall konsumi për të helmuar estetikisht njerëzit.

Ai bënte jetë të thjeshtë, ndërsa një masë e madhe picirukësh ahengxhinj, që nuk dijnë as solvezh, pasurohen me këngë bastarde që nuk kanë asnjë lidhje me muzikën. Nuk mund të ketë gjë më të trishtë për një profesionist pasionant si ai, sesa të shohë një përçudnim të tillë, një përmbysje të tillë të vlerave në një degradim të këtyre përmasave të shpirtit të një shoqërie.
Sidoqoftë ai kishte kurajën të fliste, ndërsa shumica si ai heshtin, të dorëzuar përballë realitetit. Kjo e bën atë të veçantë. Ai e bënte detyrën e vet duke na e përplasur të vërtetën në sy, pavarësisht sa veshë ka për të dëgjuar. E vërteta e tij sot endet midis nesh si fantazëm, duke turpëruar të gjithë ata kopukë që e mjelin këtë realitet në mënyrë të paskrupullt. Ndaj dhe mendoj se, më shumë se kushdo, sot duhet të heshtin muzikantët./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit