NATO planifikon mbështetje në përpjekjet e Turqisë në Siri

Mos i humb

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se aleatët e NATO-s po shqyrtojnë se çfarë mund të bëhet për të mbështetur përpjekjet e Turqisë në krizën siriane, (AA).

Stoltenberg foli në një “konferencë virtuale” në Bruksel, ku prezantoi Raportin Vjetor të vitit 2019 të aleancës ushtarake.

“Asnjë aleat tjetër i NATO-s nuk është më i prekur nga kriza në Siri sesa Turqia”, theksoi Stoltenberg, duke përmendur humbjet ushtarake dhe faktin që Turqia strehon 4 milionë refugjatë sirianë.

Stoltenberg shtoi se NATO ka rritur praninë e saj detare në rajon dhe se Spanja po ashtu po ofron mundësitë për të zmadhuar kapacitetin e sistemit të mbrojtjes ajrore turke.

Sekretari i NATO-s po ashtu dënoi sulmet nga regjimi i Assad-it i mbështetur nga Rusia në Siri dhe kërkoi nga ata të mbështesin përpjekjet e Kombeve të Bashkuara (OKB) për të arritur një zgjidhje politike dhe të negociuar mbi krizën në rajonin e Idlibit, si dhe në mbarë Sirinë.

Vitin 2019, Stoltenberg e përshkroi si “viti që ndërmorëm hapa të mëdha për të adaptuar NATO-n më tej”. Ai theksoi se viti 2019 po ashtu ishte viti që shënuan 70 vjetorin e themelimit të Aleancës.

Shpenzimet e mbrojtjes në gjithë aleancën u rritën në terma reale me 4,6 për qind në vitin 2019.

– “Të qëndrojmë të bashkuar dhe të mbështesim njëri-tjetrin në luftën e koronavirusit”

Në fjalën e tij, Stoltenberg po ashtu foli edhe për shpërthimin e koronavirusit të ri, duke e quajtur atë “pandemi globale” kundër të cilës NATO po zbaton masa të rrepta.

“Shpërthimi i koronavirusit e ka bërë të qartë se shumë nga sfidat me të cilat përballemi janë shumë të mëdha për vetëm një komb apo organizatë që të përballet e vetme. Është më e rëndësishme se kurrë më parë të qëndrojmë të bashkuar, të punojmë së bashku dhe të mbështesim njëri-tjetrin”, deklaroi Stoltenberg.

Për herë të parë, raporti vjetor përfshiu një sondazh mbi perceptimin publik të aleancës ushtarake.

29 mijë qytetarë në 9 aleatët e NATO-s dhe Maqedonia e Veriut ishin të përfshirë në anketë të kryer nga një konsulencë e pavarur hulumtuese dhe strategjike.

“Ky është sondazhi më gjithëpërfshirës që kemi kryer ndonjëherë për NATO-n”, tha Stoltenberg.

81 për qind e të anketuarve besojnë se bashkëpunimi midis Amerikës së Veriut dhe Evropës mbi sigurinë është i rëndësishëm.

Sipas anketës, nëse do të organizohej sot një votim për anëtarësimin në NATO, gjithsej 64 për qind e njerëzve do të votonin për të mbetur në NATO dhe vetëm 9 për qind do të votonin kundër të qenurit pjesë e aleancës.

“Mesazhi kryesor është mbështetje e fortë për idenë e NATO-s”, tha Stoltenberg.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit