
Shumë familjarë dhe udhëheqës të institucioneve të Kosovës, sot bënë homazhe në përkujtim të 20 vjetorit të dëshmorëve të Brigadës “121 Kumanova” në Kleçkë.
Nëna e dëshmorit Sadri Guraziu, Sevdije Guraziu, e cila sot për shumë orë qëndroi pranë varrit të djalit të saj në varrezat e dëshmorëve në Kleçkë, me vaj në buzë kujton kontributin e djalit 18 vjeçar për lirinë e Kosovës.
Mirëpo Sevdije Guraziu, që është në moshë të shtyrë, është e zhgënjyer me të arriturat në Kosovën e lirë, sepse sipas saj, në nuk ka perspektivë për të rinjtë.
“Tri herë ka qenë me marrë armë në Shqipëri, dy herë iu ka dërguar shokëve në shtab, tretën herë tha: Nënë dua m’u veshë (me uniformë). Sadri i thash mos se je i ri 18 vjeç. Më tha: nënë mos më ngushto, se unë bajë (armë), këta dil e trimërohu me armë të mija. Krejt gjunjët gjak i ka pasur e bërrylat duke ardhur këmbë. Askush mos më qani, në vdeksha me armë në krah. Deri tash jo (nuk është shkuar amaneti tyre në vende), inshalla tash e mas, sepse të gjithë të rinjtë ikën, shkuan në shtetet e jashtme, me pas punë ishin ndalur në shtëpitë tyre, kanë mbetur nënat pa askënd hiq. Çantat në krah, duke ikur me dalë të zezën e kurrqysh hiq”, ka rrëfyer ajo.
Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli sot ka bërë homazhe në përkujtim të 20 vjetorit të dëshmorëve të Brigadës “121 Kumanova”, në Kleçkë, ku vlerësoi lartë kontributin e të rënëve për lirinë e Kosovës.
Ai tha se sot në Kleçkë, përkujtojnë lavdinë dhe krenarinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që sipas tij, në këtë bjeshkë Shtabi i Përgjithshëm e ka pasur selinë e vet qendrore dhe ka qenë strehë e dhjetëra mijëra qytetarëve gjatë luftës në këtë zonë.
“Këtë janë veteranët, këta janë luftëtarët e lirisë, në të njëjtën kohë këta janë ata të cilët e kanë mbrojtur me dhjetëra mijëra popullatë civile, e kanë mbrojtur që të futen forcat serbe, të gjithë strukturën drejtuese të shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qeverisë përkohshme të Kosovës. Kjo është lavdia jonë, kjo është historia jonë, ndërsa të tjerat shkojnë e vijnë… Ne të gjallët kemi obligime, të cilat lidhen me shejtninë e rënies së gjakut të tyre, ai është shteti i pavarur dhe sovran, fuqizimi i kauzës sonë kombëtare si shqiptarë , në të njëjtën kohë integrimet euro atlantike”, ka thënë Veseli.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, i cili bëri homazhe në përkujtim të 20 vjetorit të dëshmorëve të Brigadës “121 Kumanova”, ka thënë se ky kompleks i dëshmorëve është një kopsht i shenjt i lirisë, pasi këtu prehen djemtë e këtij vendi të cilët u bënë themel i lirisë së Kosovës.
“Është viti jubile, 20 vjetori i dëshmorëve të Brigadës 121. Djemtë që janë këtu prehen në paqe, heronjtë të Kosovës edhe shumë të tjerë që janë të gjallë së bashku 20 vjet më parë kanë vu trupat e tyre për lirinë e Kosovës dhe kanë mbrojtur mbi 85 mijë banorë të strehuar në këto male dhe ne vijmë për të nderuar dhe vlerësuar jetën e veprën e tyre dhe për të quar mesazhin që liria e Kosovës nuk është falur, është paguar shtrenjtë. Dhe themelet e shtetit të Kosovës janë çdo kund ku ka varreza të dëshmorëve të cilët kanë dhënë më të shtrenjtën për të gëzuar ne lirinë. Lavdi dëshmorëve të kombit…Nëse shihni këtu emrat e të rënëve, do të shihni më së miri hartën e shqiptarisë, do të shihni gjeneratat e ndryshme të cilët i bashkoj kushtrimi për lirinë e Kosovës dhe në krye të tyre është heroi i kombit, dëshmori Ismet Jashari, i cili është kthyer në një simbol të heroizmit jo vetëm të Kosovës, por të gjithë kombit shqiptarë”, ka thënë Limaj.
Homazhe në nderim të dëshmorëve të Brigadës 121 të UÇK-së, krahas zyrtarëve të lartë të shtetit dhe udhëheqësve të institucioneve të Republikës së Kosovës, kanë bërë edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, së bashku me anëtarët e qeverisë komunale, si dhe familjarë të dëshmorëve, veteranë të luftës së UÇK-së, përfaqësues të subjekteve politike dhe qytetarë të shumtë./Kosova Post/


