Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa gjatë një konference për mediat i ka kërkuar presidentit Bajram Begaj që të mos e dekretojë ligjin për Akademinë e Shkencave.
Zhupa theksoi se ligji për Akademinë e Shkencave është një ligj që bëhet vetëm për Skënder Gjinushin.
“Këto prova që po i parashtrojë sot publikisht, do t’i dërgohen nga ana ime si deputete e Kuvendit të Shqipërisë, me shkresë zyrtare Presidentit të Republikës, me kërkesën për vlerësim të kujdesshëm të këtij ligji dhe për t’i qëndruar besnik Kushtetutës dhe për të mos e dekretuar me shpallje këtë ligj antikushtetues, i cili është një tjetër rekord sa i takon nivelit të anti-kushtetushmërisë dhe interesave personal të një individi për të cilin ai është nxjerrë”, tha Zhupa.
“Në disa deklarata të miat ju mund ta keni vënë re, se kam përdorur termin PUÇIST. Kjo nuk është një shprehje politike, aspak, as një qasje e imja personale, por një konstatim real. Disa deputetë të Kuvendit, fillimisht me nismën e tyre, dhe më pas e gjithë mazhoranca ka konsumuar një puç të vërtetë, përkundrejt rregullave në fuqi se si propozohet, si konsultohet, si diskutohet dhe si miratohet një nismë legjislative”, tha Zhupa.
Sipas saj, “po i shkele këto rregulla, atëherë nuk mund të quhesh ndryshe vecse një PUÇIST dhe veprimet që kryen quhen PUÇIZËM. Sepse një puçist apo disa puçista janë ata pjesëtar të një grupi që organizojnë përmes metodave bërjen fakt të marrjes apo dhënies së pushtetit politik, në këtë rast brenda institucioneve arsimore akademike si Akademia së Shkencave. Kjo ka ndodhur, me shqyrtimin e projektligjit në kundërshtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit, dhe mazhoranca i ka bërë një puç të vërtetë këtyre akteve juridike që Kuvendi duhet tu bindet i pari”, tha Zhupa.
Ajo garantoi se, do ndiqet çdo hap denoncimi institucional dhe do dërgohet në Gjykatën Kushtetuese me një dosje të plotë shkeljesh.
“Nga kjo dalje publike, i kërkoj Presidentit të Republikës, që ta vlerësoj me shumë kujdes këtë ligj, dhe të mos lejojë që ky ligj të bëhet pjesë e rendit të brendshëm, por ta rikthejë atë për rishqyrtim në Kuvend, me qëllim që Kuvendi në sesionin e ri parlamentar, ti thërrasë mendjes, dhe të tërhiqet nga iniciativa të tilla, ku përmes falsifikimeve, dhe tjetërsimeve të fakteve, e ndërhyrjeve të padrejta, synohet të realizohet një “puç i dytë”, ndaj Kushtetutës, ndaj lirisë së institucioneve akademike dhe pavarësisë politike të tyre, ndaj parimeve kushtetuese, parlamentarizmit dhe parimeve demokratike. Personalisht jam e angazhuar, që këtë proces ta ndjek deri në fund”, tha Zhupa.
“E ftoj dhe Prokurorinë e Posaçme, që ta ndjekë këtë proces, dhe të vlerësojë nëse jemi përpara nevojës për fillimin e verifikimit apo të ushtrimit të ndjekjes penale, për vepra penale, të konsumuara përgjatë veprimtarisë administrative dhe/apo parlamentare, që kanë synuar arritjen e qëllimeve të mbrapshta si më sipër shpjeguar”, tha ajo


