Vazhdon prerja e pishave të buta në Gjirin e Lalzit, ku bizneset e ndërtimit nxitojnë të ngrënë të tjera objekte betoni për t’iu përgjigjur kërkesës për vila luksi dhe interesit në rritje të turistëve për këtë zonë.
Pylli, që mbeti i paprekur gjatë viteve ’90, po dëmtohet vazhdimisht, ndërsa e gjithë kjo veprimtari betonizimi ka rritur ndjeshëm edhe ndotjen në zonë.
Mbetje urbane dhe inertesh i gjen të hedhura pa kriter mes pemëve dhe pranë rrugëve dytësore. Vatra moçalore janë krijuar.
Ndërkohë, gjurmët e masakrës në pyll janë të dukshme dhe pse trungjet e pishave të prera janë hequr. Pas kanë mbetur degë e mbetje pemësh të prera dhe firmat e ndërtimit që punojnë me intensitet të lartë.
Gjiri i Lalëzit i ngjan një kantieri të madh ndërtimi në këtë fillim sezoni turistik, ndërsa prerja e pemëve dhe ndërtimet që ngrihen në vend të tyre rrezikojnë të çojnë drejt degradimit tokën në bregdet, duke sjellë shtim të erozionit dhe përmbytjeve.
Top Channel


