Deputetët do të rikthehen në sallën e seancave plenare pasditen e së martës në sesionin e tretë të legjislaturës së XI.
Seanca e cila është lajmëruar në orën 17:00 pritet të ketë natyrë ceremoniale, ku parashikohet një fjalë nga kryeparlamentari Niko Peleshi dhe kreret e grupeve parlamentare. Një mesazh deputetëve do ti përcjellë edhe presidenti Begaj.
Më heret gjatë paradites do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve për të miratuar kalendarin e punimeve, ku janë përfshirë edhe ndryshimet ligjore për rritjen e pagave të magjistratëve.
Me nisjen e sesionit të ri, pritet të rikthehen edhe debatet mes opozitës dhe mazhorancës për cështjet e mbartura dhe reformat e nisura në Kuvend.
Përplasja kryesore pritet të jetë për reformën territoriale, pas propozimit të socialistëve për reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46 në fund të muajit korrik.
Gushti u shoqërua me debate në distancë jo vetëm nga opozita por edhe nga bashkitë që preken nga shkrirja, banorët e të cilëve zhvilluan edhe protesta.
Në draftin e saj, mazhoranca argumenton se ndarja e re nuk do e largojë shërbimin nga qytetarët, por opozita, e cila ka paraqitur një hartë me rreth 100 bashki, ka paralajmëruar se do të shkojë drejt referendumit për kundërshtimin e ndarjes së re administrative- territoriale, të cilën e konsideron me qëllime tërësisht politike.
Por krahas reformës territoriale, në kuvend pritet të rikthehen diskutimet edhe për reformën zgjedhore, afati i së cilës është shtyrë deri në fund të muajit korrik me dakortësinë e të dyja palëve.
Një pjesë të rëndësishme të agjendës së parlamentit pritet të zënë edhe projektligjet e lidhura me procesin e integrimit.
Vendi ka mbyllur tre kapitujt e parë të negociatave, ndërsa do duhet të ecë përpara me përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian, për të mbyllur gjithë procesin teknik deri në fund të vitit të ardhshëm.
Edhe zgjedhjet e ardhshme lokale të 2027 pritet të dominojnë debatin politik. Opozita ka deklaruar se do nisë përgatitjet së shpejti, ndërsa shumica ka nisur takimet me qytetaret përmes nismës “Prania Besnike”, si reflektim ndaj protestës që po zhvillohet prej tre muajsh.
Kjo e fundit pritet të jetë pjesë e diskursit publik, si brenda ashtu edhe jashtë sallës së seancave plenare, pasi organizatorët e protestës kanë lajmëruar se do të mblidhen të martën para parlamentit.


