Nga 150 mjekë sa diplomojnë në vit, 110 kërkojnë të ikin jashtë Kosovës

Mos i humb

Mbi 100 mjekë specialistë çdo vit kërkojnë të ikin nga Kosova. Ndërkohë në vend gjatë vitit diplomojnë rreth 150 mjekë. Federata Sindikale e Shëndetësisë por edhe Oda e Mjekëve, kanë ngritur shqetësimin e tyre për këtë dukuri që po ndodh prej vitesh. Ata thonë se për t’i mbajtur mjekët specialistë në vend, duhet paga më të larta dhe kushte më të mira të punës.

Në pesë mujorin e parë të këtij viti 54 mjekë specialistë kanë aplikuar në Odën e Mjekëve që t’u lëshohet vërtetim për të ikur nga Kosova. Pas përfundimit të specializimit, mjekët po largohen jashtë Kosovës, për shkak të një page më lartë dhe kushteve më të mira të punës. Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, tha për Radio Kosovën se asnjëherë nuk ka ndodhur që mjekëve specialistë që e kanë lëshuar sektorin shëndetësor publik, t’ju kërkohet arsyeja e ikjes.

“Numri i mjekëve që janë duke u larguar nga Kosova vazhdon me trendin e viteve të kaluar. Kjo po ndodh për shkak të kushteve të punës. Ne si odë kemi dhënë propozimet për përmirësimin e kushteve por nuk kemi asnjë lëvizje në këtë drejtim. Ky numër është shqetësues, pasi në qoftë se 110 mjekë të rinj dalin jashtë vendit brenda vitit, derisa diplomojnë rreth 150, kjo është shqetësuese’’, tha Sejdiu.

Në anën tjetër kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, bëri të ditur se kërkesat për të ikur nga Kosova kanë vazhduar edhe gjatë pandemisë.

“Për të mos ikur duhet t’u krijohen kushte mjekëve. Pagesat së pari duhet të jenë dinjitoze. Nëse vazhdohet me paga të një specialisti prej 600 euro në muaj, nuk ka perspektivë. Çdo vit përmbi 100 mjekë kërkojnë të dalin jashtë vendit. Imagjino situatën pas 10 vjetësh, sepse këta që janë aktualisht janë duke u plakur, të rinjtë po dalin jashtë vendit’’, tha Syla.

Ndryshe, për një kohë të gjatë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës si dhe të gjitha spitalet rajonale në Kosovë, po përballen me mungesë të anesteziologëve. Krahas mungesës, institucionet publike shëndetësore po ballafaqohen edhe me largimin e këtij stafi, qoftë në klinikat private apo edhe jashtë Kosovës. Anesteziologu Nehat Baftiu, njëherësh drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv në QKUK, tha se anesteziologët janë të kërkuar në gjithë botën dhe kjo është arsyeja që këta mjekë po ikin nga Kosova. Ndërkohë, shton se shteti i Kosovës duhet t’i stimulojë ata, qoftë me rritje page apo forma të tjera që ata të shërbejnë në vend.

‘’Duhet me qenë të stimuluar mjekët që të rrinë në Kosovë. Kudo në botë emergjenca anestezioni dhe degët kirurgjike, nuk mund të krahasohen me degë të tjera. Duhet stimulim. Ligji i pagave nuk kaloi, pagat janë të vogla, sidomos krahasuar me Evropë, andaj mjekët po ikin në vende evropiane’’, tha Baftiu.

Sidoqoftë në sektorin publik shëndetësor janë rreth 14,000 të punësuar, prej tyre rreth 6,000 mjekë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit