Deputeti opozitar dhe një nga këngëtarët e njohur të Ugandës, Bobi Wine ka nisur fushatën për të nxjerrë nga Kina afrikanët dhe afro-amerikanët që keqtrajtohen me pretendimin se kanë ripërhapur koronavirusin e ri (COVID-19) në vend.
Wine tha se bashkë me një aktivist amerikan kanë vendosur të veprojnë, pasi në qytetin Guangzhou të Kinës, afikanët janë përballur me keqtrajtime dhe armiqësi ndaj të huajve gjatë masave të marra në pandeminë e COVID-19.
“Afrikanët që jetojnë në rrugë dhe ndaj të cilëve nuk ofrohet mjekim do t‘i evakuojmë në një vend afrikan që ka pranuar këta persona”, tha Wine duke i bërë thirrje qeverisë kineze të parandalojë sa më parë sulmet që kanë në objektiv njerëzit me ngjyrë.
Pasi njoftoi se shtetasit amerikanë dhe ata që kanë leje qëndrimi do t‘i dërgojnë në SHBA, Wine kërkoi nga Unioni Afrikan të mbështesë fushatën nga çdo vend i botës.
Në Afrikë janë pritur me reagime pretendimet se të huajt, kryesisht njerëzit me ngjyrë në shumë qytete të Kinës veçanërisht në Guangzhou duke u mbajtur përgjegjës për valën e dytë të COVID-19, ata janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, nuk janë pranuar në qendra tregëtare, restorante përfshirë edhe spitalet, janë nxjerrë nga shtëpitë dhe hotelet ku qëndrojnë dhe janë goditur nëpër rrugë.


