Një letër e Gjergj Fishtës nga Stambolli!

Mos i humb

Dr.Nuridin Ahmeti

Poeti, kleriku Gjergj Fishta (1871- 1940), ishte i njohur edhe si autori i shumë veprave letrare, dhe sidomos u bë i njohur me veprën e tij kapitale “Lahuta e Malcis”. Përveç si njeri i letrave, Fishta njihet edhe për kontributin e tij fetar, atdhetar, diplomatik dhe si kontribuues i mirëkuptimit ndërfetar, njeri që me gjithë përkatësinë e tij fetare katolike, qëndrimet që në disa raste mbajti ndaj “turkut”, siç e quante ai, Perandorinë Osmane, nuk hezitoi që të fliste e të shkruante fjalë miradije për këtë perandori, dhe sidomos foli e lavdëroi dhe i thuri vargje njërit nga udhëheqësit më të njohur të ushtrisë osmane – mbrojtësit të Shkodrës – Hasan Riza Pashës.[1]

At Gjergj Fishta, e kishte njohur personalisht dhe kishte mbajtur kontakte të vazhdueshme me këtë mbrojtës besnikë të Shkodrës dhe luftëtari të denjë kundër okupimit të saj nga malazeztë.[2] Për më tepër, me rastin e varrimit madhështor dhe nderimit të fundit që iu dha komandantit Hasan Riza Pasha, At Fishta mbajti edhe një fjalim mjaftë prekës dhe emocionues.[3]

Pa hyrë në të dhëna biobibliografike as për Fishtën dhe as për Riza Pashën, sepse përveç që janë të njohura këto, konsiderojmë se deri tek këto të dhëna lexuesi dhe të interesuarit tjerë mund të vijnë shumë lehtë, qoftë edhe përmes kërkimeve nëpër faqe të internetit, përveç të tjerash. Këtu nuk duam të vëmë në spikamë as raportet e At Fishtës me mbrojtësin e Shkodrës Hasan Riza Pashën ose me ndonjë personalitet tjetër.

Por këtu po sjellim një letër që At Fishta e kishte dërguar nga Stambolli më 1931 ku po qëndronte atje si i deleguar i Shqipërisë bashkë me Mehmet Konicën në Konferencën e dytë për krijimin e zonës së paqes dhe për mbrojtjen dhe të drejtën e pakicave në vendet ballkanike.

Sado që mund të thuhet se kjo letër është e njohur për lexuesin, mendoj së risjella edhe njëherë e kësaj letre, do të ishte më interes.

Prandaj, për këtë arsye, këtë letër e risjellim edhe një herë për të parë se si rrodhen punimet e Konferencës, si e pa Gjergj Fishta mikpritjen e turqve, çfarë përshtypje i bënë muzetë dhe pallatet e ndryshme në Stamboll, si u mahnit më dorëshkrimet dhe bukuritë e Mushafëve që i pa etj. Për hir të korrektësisë, letrën po e risjellim edhe njëherë ashtu siç është edhe e botuar.

Rrethanat në të cilat u shkrua kjo letër

Qeveria e atëhershme shqiptare, për të mbrojtur interesat e vendit, mori pjesë në disa konferenca ballkanike në vitet 1930-1933, nën kujdesin e Francës, ku merrnin pjesë dhe përfaqësues të Lidhjeve të Kombeve. Në këto takime ndërkombëtare, flitej për krijimin e zonës se paqes në Ballkan si dhe mbrojtjen e të drejtën e pakicave në këto vende.

Në fund të vitit 1930, konferenca qe mbajtur në Athinë, Shqipëria qe përfaqësuar nga At Fishta dhe Mehmet Konica.

Konferenca e dytë qe mbajtur në Stamboll, në vitin 1931, ku të dërguarit të Shqipërisë, rishtas, qenë, Gjergj Fishta dhe Mehmet Konica. Kjo Konferencë, sipas Fishtës, qe e organizuar shumë më mirë se ajo e Athinës. Konferenca qe hapur nga Presidenti i Turqisë, Hasan Begu, fjalën e kishte mbajtur dhe Kryeministri i Turqisë, Ismet Pasha. Fishta, në letrën e tij nga Stambolli të dt. 20 X. 1931, drejtuar provincialit, Pal Dodaj në mes tjerash shkruan:

I dashtuni Provinçijal,

Stamboll, 20. X. 1931.

“ Sot me 10 paradite u çil Konferenca Balkanike në salon të Cermonivet të “ Dolmabahçe”- Pallati i Mretenvet. Mbasdite filluem veprimin Komisjonet në “ Yldiz”- në pallat ku Abdyl Hamidi pat prit Guljemin e Alemanjes!

Turqit na kanë prit me “ salltanet” të madh e fort bujarisht- me u kalue Grekve.

Konferencen e çili Kryetari, Hasan Begu, e posë Kryetaresh të Dergatavet, foli edhe Ismet Pasha, Kryeministri i Turkis. Kje në mbledhje edhe Ministri i P. Jashtme.

Jugoslavët u deklaruan kundra çështjes së pakicave; ndersa tjerët- mos tjeter me fjalë- folen në favor të bisedimit mbi pakicat. Nder kto dy a tri dit, ndoshta, ka me na ra me u terhjekë prej Konferencet.

Nuk gjejë me t’a pershkrue madhnin, e sa, ma mirë me thanë: La sontuosita të “ Dolmabahçes” e të “Yldizit”. Saloni i Konferencës ishte me të lanë pa mend. Me pa vetëm”lampadarit”! Mandej shkallët me parmakë kristalit etj. Gja qi pernjimend me të çuditë.

Sod, 21, kemi pasë luftë me Jugoslav në komisjonin politik. Mehmet Konitza asht sha keqas me Kryetarin e Derergatës Jugoslave e me nji farë Topalovic…. Jovic, Kryetari i Dergatës Jugoslave, i paska thanë Konitzës, se asht i shtim prej dikujt tjeter me prish Konferencen. Konitza i paska permendë punët, qi Jugoslavët kan ba e bajnë mbi Shqyptarë të Kosovës, dhe e paska quejtë barbar. Asht ba kaq poterë mbrendë, sa Kryetarit të Konferencës i asht dashtë me pezullua mbledhjen. Mbasi u hap mbledhja rishtas, Konitza deklaroi, se, po s’i muaren Jugoslvët fjalët mbrapa, Dergata shqiptare do t’a lite Konferencen. Edhe Jugoslavët, tue skuzue, mueren, mbrapa fjalët e fyeshme. Nji heri edhe në Komisjon t’ Afrimit Intelektual u zuen keqas Bulgarë e Jugoslav.

Grekët, Rumunët, Turqit, e na lypin, qi çashtja e pakicave të rregullohet në ket Konferencë, edhe qi kjo çashtje të permendet në pakt të Federatës Ballkanike. Jugoslavët janë kundra, ndërsa Bulgarët pranojn qi kjo çashtje të shtyhet der sot nji vjetë! Me 23 asht mbledhja e përgjithshme: pale se si po dahëna. Shpnesohet se ka me u gjetë ndonji formylë afrimi.

Po s’kjemë të ngushtuam me 23 me lanë Konferencën, sigurisht kemi me shkue n’Angara; pre ashtu e lypë nji punë, e cila s’kallxohet me letër; por qi në vedvedi ka nji randsi mjaft relative.

Sot kemi vizitue S. Sofia, xhamin “blu” e xhamin Sylejmanije, për të cillat mund të thohet se janë pernjimend të bukura. Sh. Sofija asht nji mrekulli arti e madhnije. Jam bin kur e kam pa. Dje, masandej patem vizitue muzejt e Stambollit, visaret e Mbretenvet e muzeun e dorshkrimevet të Koranit- me sa tri mij. Sarkofagu i Lekës së Madhë asht nji mrekulli skulpture. E shka asht per t’u çuditë, se shumica e luftarvet, nder “ bassoriljevi” m’ kater anët, bashin per rreth kres nji shall krejt si malcorët t’onë! Me kan ba përshtypje të madhe edhe miniaturat mbi dorëshkrime të Koranit, si per shumicë si per bukuri.

Sa per visare të Mbretenvet asht kot me i a nisë me folë.

Mjaft “ i vasi”, qi u a kalojnë atyne të Vatikanit në daç per numer, në daç per vlerë; se per gur te pa çmueshm, enë e sende arit, pushkë e shpata të prarueme etr. etr, s’t’i shef syni kurrkund njeti. Nder ato visare gjinden edhe kryet e krahi i Sh. Gjonit Pagzues veshë n’ari e në gur të paçmueshem. Sende me të lanë pa mend.

Per me pas nji ide per shka asht Yildizi, asht mjaft me të thanë, se në gjith Shqypnin- a ma në gjith Shqypnin – s’ e ke nji salon ma të bukur se oda e “ Ypsilonit”… e Yildizit, e kta në kat të poshter.

Sonde na ka qitë nji kafe Universiteti. Na kishim ndejë në paradë kund nja nji mijë boiskaut(?), nder të cillet kishte ken rreshtue edhe nji çetë varzash 16- 17 vjetshe e edhe ma të msha- në Stambollë! S’ shifet burrë me fes në krye as grue e mertisun. Der më sod kam pa veç nji hoxhë me çallme, por kishte edhe gjyzlykët… Ndryshimi prej kohës së kaluese asht kolosal.

U kënaqa tue pa- të thuesh- me qindra vaporresh kahë shkojnë e vijnë neper Bosfor.

U falem me shendet të gjithve.

Gjergji[4]

Përfundim

Duke shfletuar, këtë letër po edhe të tjera, biografinë e Fishtës në përgjithësi, do të gjeje materiale të bollshme njeriu nacionalist, intelektual e fetare,qoftë ai myslimanë, katolik apo ortodoksë. Janë shkruar shumë rreshta për Fishtën, por në rrethanat e tanishme në të cilat gjendemi ne, sidomos ato fetare, kjo letër është edhe një tregues, se sa dhe si i çmojë Fishta, vlerat fetare të të tjerëve, pavarësisht se kishte petkun e një prifti. Për Fishtën, dallon “Turku”, i viteve të Lidhjes së Prizrenit por edhe para saj, kur fletë në disa raste për “padrejtësitë” e P. Osmane ndaj shqiptarëve, me “Turkun”, e viteve të 30-ta, për të cilët siç shihet edhe nga letra Fishta fletë me shumë admirim.

[1] Genti Kruja, Shqiptarët përball sfidave të mirëkuptimit ndërfetar, Prizmi, 2008, f. 227-230

[2] Sadri Fetiu, Uniteti i shqiptarëve në mbrojtjen e Shkodrës (1912-13) sipas epikës historike, në: “ Kontributi i prijësve myslimanë në formimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar”, ( Konferencë shkencore), BIK, KMSH, BFIRM, Tiranë, 2013, f. 230/

[3] Genti Kruja, Vep. e cit., f. 227-230

[4] At Gjergj Fishta 1871-1940,(përgatit për botim Abdullah Konushefci), ShB, Nositi, Prishtinë, f. 135-136./Mesazhi/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit