Një rrugë në Tiranë, në hyrjen veriore të Liqenit Artificial, do të mbajë emrin e sipërmarrësit Dritan Mezini, i cili u nda nga jeta pak kohe me pare.
Gjatë fjalës së tij, Veliaj tha se Mezini i përkiste një skuadre ku njerëzit flisnin mirë për njëri-tjetrin.
“Më vjen mirë që kjo rrugë është në botën e Tanit, në atë botë që krijoi skuadër, që njerëzit flisnin mirë për njëri-tjetrin, që thoshin jam krenar për ty, bravo të qoftë. Unë besoj se kjo është patjetër një ditë kujtimi, por nuk është një ditë për të qarë, është një ditë për të festuar jetën e Tanit. Sot do të kem gjithmonë kënaqësi, sa herë që të shëtis me tim bir në kete rruge të kem një përgjigje shumë të mirë kush është xhaxhi Tani, që e donte shumë Tiranën, që i dha pafund dashuri”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku u ndal edhe te projektet që Mezini la pas vetes, duke theksuar se ai do t’i frymëzojë të gjithë. Veliaj tha se fëmijët e Mezinit do të rriten me mungesën e figurës atërore, por do të mësohen të jenë të fortë për të marrë vetë vendimet e tyre.
“Nuk e di sa do vazhdojë “Dua punë”, nuk e di sa do vazhdojnë shoqatat, nuk e di sa do vazhdojnë shumë prej projekteve, por e di që dashuria e Tanit do vazhdojë, do jetë një dozë që do na frymëzojë të gjithëve. Shpresoj që përveç një dite ku festojmë jetën e Tanit, të jetë një ditë reflektimi për secilin prej nesh. A po jetojmë jetë të denja, që një ditë kur të mos jemi më, të kujtohemi siç kujtohet Tani, me kaq shumë dashuri? Unë jam rritur vet pa babin dhe di të them që keqardhja është për atë që ikën, por edhe për ju, pavarësisht se jeta do jetë më sfiduese, do bëheni më të mirë se ca të tjerë që do ua bëjë babai gati. Do bëheni më të fortë se ca të tjerë që forcohen shumë më vonë në jetë. Do bëheni më të mençur për të marrë vendime të shpejta, të drejta kur disa të tjerë duhet të pyesin babin për të marrë vendime”, u shpreh ai.
Dritan Mezini, sipërmarrës në fushën e teknologjisë së informacionit, ndërroi jetë më mënyrë të beftë, pas një ataku kardiak në moshën 52-vjeçare, në janar të këtij viti. Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi në mënyrë unanime të përjetësojë emrin e tij në një rrugë që ai e bënte çdo ditë, teksa dilte për vrap te kodrat e Liqenit Artificial.