Nufi: Buxheti i mbrojtjes 2026 u rrit në 2.6% të PBB-së, në përputhje me angazhimet e NATO-s

Mos i humb

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi sot se buxheti i mbrojtjes për vitin 2026 është rritur, duke kaluar nga niveli i parashikuar fillimisht prej 2.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2.6% të PBB-së.

Në një deklaratë pas mbledhjes së qeverisë, Nufi tha se realizimi i buxhetit të mbrojtjes për vitin 2025 ka qenë mbi 90%, ndërsa për vitin 2026 është bërë një rritje e mëtejshme e fondeve në përputhje me angazhimet e Shqipërisë në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

“Buxheti i mbrojtjes për vitin që shkoi është realizuar në të gjitha financimet e brendshme në bazën e mbi 90 e ca për qind. Ai buxhet që është alokuar te Ministria e Mbrojtjes është realizuar”, u shpreh ministri.

Sipas tij, rritja e shpenzimeve për mbrojtjen nuk është një zhvillim i veçuar vetëm për Shqipërinë, por pjesë e një tendence të përgjithshme të vendeve anëtare të NATO-s.

“Sa i përket vitit 2026, Shqipëria me aktin normativ ka rritur shpenzimet jo në masën 2.2% që ishin të alokuara me ligjin e buxhetit, por i ka çuar ato në 2.6% të PBB-së. Kjo rritje është një proces që po ndodh në të gjitha vendet e NATO-s”, tha Nufi.

Ministri theksoi se rritja e shpenzimeve lidhet me “shtegun e besueshëm të shpenzimeve” të përcaktuar nga Aleanca, me synim arritjen e nivelit 5% të shpenzimeve për mbrojtjen deri në vitin 2035, në përputhje me angazhimet e Samitit të Hagës.

“Në Ministrinë e Mbrojtjes këto para tashmë janë alokuar në masën 2.6% të PPB-së, nga të cilat një pjesë shkon për shpenzimet kryesore të mbrojtjes dhe një pjesë tjetër për shpenzime të lidhura me mbrojtjen, në përputhje me strategjitë dhe doktrinat e miratuara nga NATO”, deklaroi ai.

Duke folur për marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Nufi tha se ajo lidhet me marrjen e disa sistemeve, pajisjeve dhe mjeteve të nevojshme për Forcat e Armatosura, me qëllim forcimin e kapaciteteve dhe përmbushjen e kërkesave të Aleancës.

“Bëhet fjalë për një marrëveshje me SHBA për marrjen në Forcat e Armatosura të disa sistemeve, pajisjeve dhe mjeteve që u duhen forcave tona për të përmbushur kapacitetet e kërkuara nga NATO”, u shpreh ministri.

Ai nënvizoi se investimet në mbrojtje janë pjesë e një plani afatgjatë për zhvillimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura.

“Kjo që po ndodh me mbrojtjen nuk është një qasje e izoluar apo selektive, por një qasje konsekuente. Forcat e Armatosura kanë një plan për zhvillimin e tyre, i cili nuk ka filluar sot, por është në vazhdimësi”, tha Nufi.

Sipas tij, kredia e marrë lidhet me sigurimin e aseteve, mjeteve dhe sistemeve për Forcat e Armatosura, ndërsa shpenzimet do të kryhen në përputhje me fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.

“Nuk di të kemi ndonjë vit që ne nuk i kemi bërë shpenzimet që i kemi pasur të alokuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes”, përfundoi ministri Nufi.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit