“Nuk durojmë asnjë lloj zgjedhe, në dejet tona ka gjak Kastrioti”, Kryemadhi: Katër vite që dëgjojmë premtime dhe zero realizime

Mos i humb

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, zhvilloi këtë mesditë një takim me të rinjtë në Lezhë, prej ku iu bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të shkojnë në zgjedhje më 25 prill dhe të votojnë kundër Edi Ramës.

Në fjalën e saj para të rinjve, Kryemadhi hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke thënë se ai po tenton të shkatërrojë familjen shqiptare.

“Do iu çjerrim maskën Edi Ramës dhe zuzarëve të tij më 25 prill, duke i treguar se familja shqiptare është i vetmi institucion i konsoliduar, që i ka mbijetuar luftërave dhe nuk u tjetërsua asnjëherë”, u shpreh kryetarja e LSI, ndërsa vijoi se edhe socialistët e ndershëm nuk do t’i pranojnë më mashtrimet e kryeministrit.

“Jo më kot e ndieja këtë rrënjë të fjalës dhe të besëlidhjes, sepse në dejet tona ka gjak Kastrioti për të cilin jemi Zot të këtij vendi, jemi një popull që nuk duron asnjë lloj zgjedhe, nuk durojmë asnjë lloj pushtimi dhe asnjë lloj tjetërsimi.  Nuk ka socialist që do të pranojë mashtrimet e Edi Ramës dhe të Rilindjes. Nuk ka socialist që nuk do punë dhe pagë të mirë, që nuk do fëmijën e tij në shtëpi. Njerëzit janë të gjithë njësoj para Zotit e ligjit, por edhe para familjes së tyre. Beteja jonë është e përbashkët, me socialistët e ndershëm, për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve. Lezha ka mundësi pafund, jo vetëm në turizëm, trashëgimi kulturore, bujqësi, por edhe në resurset kulturore. Unë nuk dua t’iu them që të votoni, sepse do thoni që erdhëm e kërkuam votën. Unë do iu kërkoj të zgjoheni, të ndryshoni, sepse vetëm kështu ne mund të garantojmë arsim cilësor, që garanton punësim të mirëpaguar.

Sot në Spitalin e Lezhës nuk mund të shtrohet një i sëmurë me Covid dhe pjesa më e madhe sëmuren nga paniku. Të gjithë janë në një terr informativ, por janë edhe peng i çmimeve të larta të ilaçeve. Jam e bindur që mjekët nuk do të marrin as pagat që iu takojnë. Duhet të ndryshojmë këtë sekt, që ka marrë peng Shqipërinë, traditën dhe historinë tonë, që jo vetëm kërkon ta tjetërsojë, por ta grabisë dhe zhdukë në mënyrë të tillë, që ne të mos ekzistojmë më. Rama bërtiste për mini-shengen dhe sot i çoi luftëtarët e UCK para gjykatës.

LSI ka një veti që mban fjalën dhe i ndihmon njerëzit. Ka qenë moto që në themelimin e saj. Sic kemi mbajtur njerëzit, të rinjtë e të rejat, ashtu do të mbajmë cdo shqiptar, që duke i zgjuar, duke iu ndryshuar atë mosbesim brenda vetes, që më 25 prill të shkojnë të votojnë kundër Edi Ramës dhe cdo segmenti të tij që kërkon të zhdukë të ardhmen të tuaj. Prandaj iu bëj thirrje: përfshihuni në vendimmarrje, në politikë, në ekonomi, kudo. Ky njeri kërkon të shkatërrojë familjet tona, por nuk ka për t’i shkatërruar kurrë. Do iu çjerrim maskën Edi Ramës dhe zuzarëve të tij më 25 prill, duke i treguar se familja shqiptare është i vetmi institucion i konsoliduar, që i ka mbijetuar luftërave dhe nuk u tjetërsua asnjëherë”, tha Kryemadhi.

Pjese nga fjala e Kryemadhit në Lezhë: 

Në fakt Lezha është një nga qytetet më të preferuara të miat. E tha pak më përpara Viviani, në 2013-n unë kandidova për deputete me LSI-në dhe ajo që ndieja çdo ditë ishte sinqeriteti dhe besimi që me çdo lezhjan që ulesha në tavolina apo me çdo lezhjan apo lezhjane që takoja dhe bisedoja në shtëpitë e tyre, qëndresa dhe fjala e dhënë për ta ishte e patjetërsueshme.

Më bënte përshtypje dhe thosha: Si ka mundësi kaq të drejtpërdrejtë, kaq qëndrestarë, me humorin të përfshirë në bisedat e tyre dhe gjithmonë ne herë pas herë harrojmë se nga vijmë.
Aty kuptova që jo më kot Skënderbeu në 2 Mars mblodhi Besëlidhjen e Lezhës, sepse këtu ishte besa, këtu ishte fjala e dhënë, këtu ishte ajo që kur fjala jepet, mbahet deri në fund.

Jo më kot e ndieja këtë rrënjë të fjalës dhe të besëlidhjes, sepse në dejet tona ka gjak Kastrioti për të cilin jemi Zot të këtij vendi, jemi një popull që nuk duron asnjë lloj zgjedhe, nuk durojmë asnjë lloj pushtimi dhe asnjë lloj tjetërsimi.

Prandaj edhe ajo mirësi, ajo forcë, ajo kurajë, ajo mikpritje ishte në Lezhë dhe që andej kalon dhe tjetërsohet duke u bërë akoma dhe më e fortë në çdo cep të Shqipërisë. Por fuqia e votës qëndronte tek të rinjtë dhe të rejat.

Kam takuar Dajanën në 2013-n, kam takuar Vivianin dhe në fakt sot nuk jemi aq sa ishim atëherë që ishte atëherë kur ishte shumë e vështirë, por jemi shumë më shumë.
Para disa muajsh, para pandemisë Liridiani mori kartën e anëtarësisë, Esteri dhe shumë të tjerë dhe sot nga 10 anëtarë të rinj që u bënë atëherë, jemi mbi 200 që janë këtu sot. Nuk po them shifra të tjera se pastaj thonë: Mos ka ngatërruar me numërimet!

Por nuk është kjo e rëndësishme. Ajo që tha Adelajda që është mjeke. Pse them është mjeke? Është mjeke sepse ajo do ta mbarojë universitetin dhe përveçse i lutem Zotit, por do të bëj çmos Adelajda që ti të mos ikësh jashtë vendit, sepse duhet të kesh një pagë më të mirë, duhet të kesh mundësi që të ushtrosh profesionin tënd diku tjetër.

Dëgjova Emiljanën, e cila flet që ka aplikuar për Ekonomi, por në fakt lotoja, makina e fatit e arsimit shqiptar nuk i dha fatin, por e çoi në një degë tjetër dhe fjalia e sa që më bëri përshtypje ishte: Jemi me arsim të lartë, por rrimë në shtëpi!
Apo Sajmina Laçi, e cila është gjimnaziste, cilat janë shpresat e saj për të ardhmen? Të mos flas për Visin, që thotë: Nuk duam të emigrojmë! Secili nga ju po ta pyesni sot, se çfarë plani keni, të gjithë doni të ikni, sepse do të kërkoni një punë më të mirë, një pagë dhe një mundësi më shumë për veten dhe familjen tuaj.

Dhe gjithmonë dëgjojmë që takohemi me shumë socialistë, të cilët unë i njoh, sepse ju jeni shumë të rinj, pjesa më e madhe prej jush nuk kishin lindur në atë kohë kur unë kam qenë si ju në PS, kam krijuar Forumin Rinor Euro-Socialist Shqiptar, e kemi bërë anëtare të Internacionales Socialiste të Rinisë, e kemi bërë pjesë të të gjitha institucioneve ndërkombëtare socialiste dhe lidhjet e mia me socialistët e asaj kohe që sot nuk janë të rinj, por janë burra e gra, vazhdojnë dhe janë.

Dhe në tavolina me ta diskutojmë pa fund për problematikat dhe ajo që i vret ata është: Monika, kemi katër vjet që dëgjojmë premtime dhe vetëm premtime, por zero realizime! Monika shikojmë që një shesh që është shtruar para një viti, fillon dhe rishtrohet edhe njëherë tjetër!
Një shkollë që është rindërtuar para një viti, e shembin sikur është prishur nga tërmeti dhe bëjnë tender 10 herë më të shtrenjtë se ç’e kemi rindërtuar.
Flasim për vende pune, jo vetëm që nuk po hapin vende të reja pune, por po mbyllin edhe ato pak biznese dhe ato pak dyqane të vogla që mbajmë shpirtin gjallë.

Flasim për uljen e çmimit të energjisë elektrike, por përkundrazi na i shtojnë kilovat/orët më shumë se ç’harxhojmë.
Flasim për ujë të pijshëm, jo vetëm që s’kemi thonë, por kemi edhe fatura shumë të shtrenjta poshtë dyerve.
Nuk ka socialist që do ta pranojë mashtrimet e Edi Ramës dhe të Rilindjes.
Nuk ka socialist që nuk do punë dhe pagë të mirëpaguar. Nuk ka socialist që nuk do taksa të ulta apo që nuk do fëmijën e tij në shtëpi.
Njerëzit janë të gjithë njëlloj përpara zotit dhe përpara ligjit, por janë të gjithë njësoj edhe përpara dashurisë për familjen dhe fëmijën e tyre.

Nuk ka flamur politik që i tjetërson ato. E pra beteja jonë është e përbashkët me socialistët e ndershëm, me socialistët e zhgënjyer për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve, për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e fëmijëve të shqiptarëve, për të kthyer djemtë dhe vajzat tona në Shqipëri.

Sepse vetëm kështu, në këtë qytet të mrekullueshëm ku është kodra, janë lagunat, është deti, është lumi, është historia dhe trashëgimia jonë kulturore, është bukuria, është ajo mrekullia që duhet për të jetuar.
Nuk kanë asgjë më shumë vendet e Evropës sesa Lezha. Përkundrazi ne kemi njerëzit që kanë të dashur dhe mikpritës, kanë humor, kanë atmosferë. Nuk mund ta braktisim dhe ta shpopullojmë këtë qytet, sepse e gjithë vija bregdetare e qytetit të Lezhës jo vetëm që nuk i jepet mundësia për ta zhvilluar turizmin, por përkundrazi e masakrojmë, e mbyllim, e dëmtojmë.

E pra Lezha ka mundësi pa fund, jo vetëm në turizëm, jo vetëm në trashëgimi kulturore dhe kulturë, jo vetëm në bujqësi, por Lezha ka mundësi pa fund edhe në resurset njerëzore, ku djemtë dhe vajzat e Lezhës, të cilët janë ekselentë dhe drejtojnë institucione të SHBA-ve, drejtojnë institucione në Gjermani, në Itali, në Francë. E pra përse nuk qenkan të aftë ata për të ndërtuar dhe në vendin dhe shtëpinë e tyre për ta bërë Shqipërinë një vend të denjë si gjithë evropianët që jetojnë në shtetet e tyre. Kjo është shansi dhe mundësia jonë për tua dhënë juve, të rinjve.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit