Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se qëllimi prioritar i Kongresit për Dialogun Kombëtar Sirian është përgatitja e listës së pjesëmarrësve, duke shtuar se “ende nuk është e sigurtë data e kongresit dhe nuk ka ndonjë rregull se duhet të mbahet para përfundimit të këtij viti”.
Peskov në deklaratën për mediat tha se ende nuk është caktuar axhenda për Kongresin e Dialogut Kombëtar Sirian.
Ai tha se nuk është e domosdoshme që ky kongres të mbahet para përfundimit të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.
“Qëllimi ynë prioritar dhe pjesa më e vështirë e kongresit është përgatitja e listës së pjesëmarrësve”, thotë Peskov.
Zëdhënësi i Kremlinit thekson se për të arritur zgjidhje politike në Siri i japin rëndësi të veçantë takimeve në Gjenevë.
“Procesi i Gjenevës ka rol kyç për sigurimin e zbatueshmërisë së marrëveshjeve të arritura. Për këtë arsye këto takime duhet të jenë plotësisht gjithëpërfshirëse”, tha ai.
Në disa lajme të mediave ruse pretendohej se Kongresi për Dialogun Kombëtar Sirian, i cili planifikohej të mbahet muajin e ardhshëm në qytetin Soçi të Rusisë është shtyrë për muajin shkurt të vitit të ardhshëm.
Në një deklaratë të përbashkët nga Turqia, Irani dhe Rusia, gjatë javës së kaluar, u theksua mbështetja për Kongresin e Dialogut Kombëtar, i cili parashihej të mbahet mes opozitarëve dhe regjimit të Bashar al Asadit./Rtv islam/