OKB thirrje për qasje të pakufizuar humanitare në Arakan

Mos i humb

Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) kërkon nga qeveria e Mianmarit që të lejojë qasjen e pakufizuar humanitare në Arakan.

Në një lajm në faqen e internetit të UNHCR-së thuhet se zëdhënësi i zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, Adrian Edwards, në një konferencë për media të mbajtur në Gjenevë të Zvicrës është shprehur se ende nuk janë marrë masat e nevojshme për rikthimin e muslimanëve të Arakanit (Rohingya). Ai njoftoi se në Mianmar ende ka kufizime për organizatat humanitare, mediat dhe vëzhguesit e pavarur.

Duke vënë në dukje se ende ka muslimanë të Arakanit të cilët po përpiqen që të shkojnë në Bangladesh për të ikur nga persekutimi, Edwards thotë se “Ftojmë Mianmarin që të lejojë qasjen e pakufizuar humanitare në Arakan, për mbrojtjen e të drejtës së rikthimit të refugjatëve në mënyrë vullnetare, të sigurtë dhe të ndershme. Po ashtu iu bëjmë thirrje për formimin e kushteve të nevojshme për një zgjidhje të përhershme”.

Duke theksuar se ofrimi i qasjes ka një rëndësi jetike për vlerësimin e kushteve në Arakan, Edwards thotë se “Refugjatët duhet të informohen në mënyrë të përshtatshme për këto kushte në mënyrë që kthimet të jenë vullnetare, të sigurta dhe të vazhdueshme”.

Edwards thotë nuk mund të injorohet rreziku i kthimit në një ambient ku dhuna mund të rikthehet përsëri, duke shtuar se institucionet e OKB-së janë të gatshëm për të bashkëpunuar me qeveritë e Mianmarit dhe të Bangladeshit për të arritur një zgjidhje afatgjate.

Vazhdon enigma për kthimin në shtëpi të muslimanëve të Arakanit

Qeveria e Bangladeshit shpeshherë ka bërë thirrje për rikthimin e muslimanëve të Arakanit në territoret e tyre. Në kuadër të kësaj më 23 nëntor mes qeverive të Mianmarit dhe Bangladeshit u nënshkrua një marrëveshje.

Sipas marrëveshjes, personat që dëshirojnë të rikthehen në Mianmar janë të detyruar që të paraqesin dokument se kanë jetuar në Mianmar para se të kalonin në Bangladesh, por muslimanët e Arakanit nuk janë të regjistruar në Mianmar për shkak se në vitin 1982 atyre iu hoqën të drejtat e shtetësisë. Ndërsa theksohet se duhet të kalojnë në procesin e “miratimit” të qeverisë së Mianmarit edhe dokumentet e dhëna në këtë vend ndaj muslimanëve të Arakanit që kanë kaluar në Bangladesh.

Ministri i Mirëqenies Sociale, Ndihmës dhe Zhvendosjes i Mianmarit, Win Myat Aye, në një deklaratë të tij të bërë javën e kaluar gjatë një konference shtypi në kryeqytetin e Mianmarit, Nepxhidou, kishte thënë se planifikohet që procesi i rikthimit të muslimanëve të Arakanit që kanë ikur në Bangladesh, në Mianmar të fillojë javën e ardhshme. Por më pastaj ai kishte njoftuar se ky proces është shtyrë.

Spastrimi etnik i muslimanëve të Arakanit

Sipas të dhënave të fundit nga Kombet e Bashkuara (OKB), numri i muslimanëve të Arakanit të cilët nga 25 gushti i vitit të kaluar kanë ikur në Bangladesh si pasojë e dhunës nga ushtria e Mianmarit dhe turmat budiste, ka arritur në 655 mijë.

Supozohet se në vitet 1970, në Arakan kanë jetuar afro dy milionë muslimanë dhe si pasojë e spastrimit etnik nëpërmjet sulmeve sistematike, ky numër ka rënë në 350 mijë.

Nga ana tjetër, pamjet satelitore nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, tregojnë se janë djegur mbi 350 fshatra të muslimanëve./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit