Opozita maqedonase tashmë ka një lider të ri. Njeriu që pason Gruevskin në krye të saj është Kristian Mickovski, i cili u shpall kreu i ri i VMRO-DPMNE-së në një kongres të mbajtur me dyer të mbyllura.
E ndërsa Gruevski është shpallur kryetar nderi, ai nuk e ka fshehur zemëratën e tij në formë zhgënjimi me disa ish-bashkëpunëtorë, duke u ndjerë i tradhëtuar prej tyre. Ata e bojkotuan kongresin, por siç tha Gruevski, kështu ka qenë edhe në periudhën kur ai u zgjodh kryetar i partisë, duke thënë se edhe krahas këtij fakti, plot 14 vjet ai dhe partia e tij ishin në pushtet. Bëhet fjalë për emra si Nikolla Poposki, Nikolla Todorov, Vlladimir Peshevski, Zoran Stavreski, Ilija Dimovski, Trajko Veljanovski, Antonijo Milloshovski, si dhe Vladimir Peshevski cili ishte zv/kryeministër për çështje ekonomike në periudhën prej vitit 2009 deri në vitin 2017.
“Një pjesë e bashkëpunëtorëve të mi, persona të cilët kanë përfituar shumë, para se gjithash morrën besim duke u shpërblyer me funksione dhe privilegje të mëdha, gjatë muajve të fundit unë nuk mund t’i njoh. Por e mbajta këtë fakt brenda meje, me qëllim që të mbetem i qetë, të vuaj por t’i lëshoj që ata të bien në varrin që e gërryejnë për të tjerët”, tha Gruevski.
Kujtojmë se lideri në ikje, Nikolla Gruevski, katër herë me radhë u zgjedh kryetar i VMRO-së. Për herë të parë në 2003-shin, kur në garë ishte me Marjan Gjorçev. Dhe kjo mbeti e vetmja garë kur ai pati një rival si kundër-kandidat. Ndërsa për herë të fundit u zgjodh në Kongresin e 15-të i cili u mbajt në Kumanovë në vitin 2015, pa asnjë konkurrencë, kur nga gjithsej 529 delegatë, Gruevski e mori përkrahjen e 528 delegatëve.
Kristian Mickovski, pas zgjedhjes në krye të VMRO-së, tha se të qënit të bashkuar është sfida më e madhe e momentit.
“Tash është koha të bëhemi bashkë. VMRO-ja e pret atë prej neve, ndërsa shteti e kërkon nga ne. Është i nevojshëm elan i ri dhe energji e re. Këtë që e shohim tani nuk është as dritë as shpresë, por errësirë dhe zhgënjim”, tha Mickovski. /tesheshi.com/