Opozita ka protestuar sërish ditën e sotme përpara bashkisë së Tiranës, duke kërkuar largimin e kryetarit të bashkisë Erion Veliaj.
Kryetarja e Gjykatës të Apelimit në Partinë Demokratike, Adriana Kalaja, në fjalën e saj përpara protestuesve, theksoi se ndodhen në protestë prej 42 javësh. Ajo përgëzoi të pranishmit se nuk u tërhoqën.
Klevis Balliu, koordinator i Partisë Demokratike për Tiranën u ndal tek procedimi penal i Policisë së Shtetit ndaj protestuesve një javë më parë.
“Nuk e kuptoj pse Policia e Shtetit kërkon të krijojë këtë konflikt të protestuesve me qytetarët. Dhe nuk e kuptoj se në cilin vend të botës Policia e Shtetit kërkon që të ketë gjakderdhje dhe sherr, përplasje dhe grushte të qytetarëve me njëri-tjetrin”, u shpreh ai.
“Kjo protestë është e njoftuar dhe minimalisht Policia e Shtetit duhet t’i sigurojë qytetarëve të drejtën për të protestuar. Dhe nëse jeni Policia e Shtetit, zbatoni ligjin dhe krijoni mundësinë që qytetarët të protestojnë”, tha Balliu.
Tedi Blushi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, në fjalën e tij hodhi akuza në drejtim të sistemit të drejtësisë.
“Gjithçka bëhet në funksion të zgjedhjeve, të zgjedhjeve që kjo mazhorancë e kalbur do dërrmohet në 11 maj edhe për faktin se sot ky sistem Drejtësie, që i ka provat sheshit, i ka provat këtu para Bashkisë së Tiranës, i ka provat në sirtarët e Erjon Veliajt, nuk bën asgjë tjetër veçse mbyll sytë dhe trajton një kriminel, një zhvatës të fondeve publike, e trajton si hajdut xhepash”, tha Blushi.
Blushi tha se duhet “rezistencë, duhet përballje, duhet organizim sepse kjo Bashki tanimë iu përket qytetarëve”.
“Bashkia jemi ne, ata janë thjesht një çetë hajdutësh që mbyllen me hekura brenda dhe që thjesht tani firmosin ca letra pa vlerë. Ndaj ju ftoj të gjithëve, jo çdo javë, por çdo ditë, të dalim para këtij institucioni”, tha Blushi.