Propozim-ligji për ndjekjen e komunikimeve dhe ai për Agjencinë Teknike Operative mund të pësojnë ndryshime, sa i takon strukturës udhëheqëse. Zv.kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani deklaroi se kur ligji të vijë në shqyrtim në seancë qeveritare, do të rishikohet mundësia që Agjencia të ketë edhe zv.drejtor, me qëllim të përfaqësimit të drejtë. Ky parim sipas Osmanit do të respektohet edhe për të punësuarit tjerë në të.
“Unë mendoj se duhet të propozojmë pozitën e zv.drejtorit, jo për t’u keqkuptuar si ndërhyrje politike por thjeshtë për përfaqësim të drejtë. Kemi edhe ekspertë shqiptarë të cilët duhet të jenë pjesë e udhëheqësisë së asja Agjencie. Përfaqësimi i drejtë është normë kushtetuese, veçanërisht për Agjencitë e reja që formohen dhe domosdo duhet të jetë të paktën 25% përfaqësimi i shqiptarëve aty por natyrisht ata do të jenë ekspertë të pavarur, jashtë ndikimit të politikës”, deklaroi Osmani për Alsat M.
Shqetësimin e përfaqësimit të drejtë në këtë Agjenci, Alsat e ngriti një ditë më parë, duke pasur parasysh që organet e sigurisë dhe kundërzbulimit në MBP, në të kaluarën kanë pasur shumë pak shqiptarë. Çështja e menaxhimti me ta, gjithmonë është konsideruar si një betejë mes dy partive maqedonase. Osmani poashtu deklaroi se ligji parashikon filtrimin e kuadrove gjatë punësimit por sipas tij, nuk ka nevojë për masa shtesë ndaj ish të punësuarve të DSK-së që pritet të transferohen në Agjencinë e re. Kjo përshkak se urdhërat për keqpërdorime kanë ardhur nga eprorët.
“Rrallë herë keqpërdorimet janë bërë me iniciativë të të punësuarve. Ata gjithmonë janë detyruar ose janë keqpërdorur nga instruentet e politikës. Natyrisht edhe obligimet ligjore që ata kanë dhe pasojat ligjore nga keqpërdorimet e mundshme do të mundësojnë që gjithçka të funksionojë në kuadër të ligjit. Ju e shihni që në shumë institucione, kur krijohen institucione të reja të pavarura, njerëzit vinë nga institucionet aktuale, nuk janë njerëz të tjerë”, shtoi Bujar Osmani./Telegrafi/