![]()
Tre sulmues vetëvrasës kanë kryer sulme ndaj një kompleksi policor në pjesën jugperëndimore të Pakistanit, duke vrarë një polic dhe duke lënduar tre të tjerë.
Militantët, që kanë pasur të veshur “jelekë vetëvrasës”, kanë sulmuar kompleksin në distriktin Loralai të Balochistan, thonë nga shërbimi për media i ushtrisë pakistaneze.
Një militant u vra nga policia para se të hynte në kompleks, por dy të tjerët arritën që të futen brenda kompleksit. Prej tyre njëri u vra nga policia, por tjetri arriti që të aktivizojë bombën.
Jam Kamal, kryetari i rajonit Balochistan, përmes një deklarate dënoi sulmin, duke thënë se forcat e sigurisë vepruan shpejtë dhe e zmbrapsën sulmin terrorist
Mohammad Khurasani, i cili pretendon të jetë zëdhënës i Tehreek-e-Taliban Pakistan (TTP), degës së talebanëve në Pakistan, përmes një kumtese mori përsipër përgjegjësinë për sulmin e fundit në serinë e sulmeve të ngjashme në provincën e pasur me minerale.
Provinca Balochistan që kufizohet me Iranin dhe Afganistanin, ka rëndësi strategjike për shkak se është e pasur me bakër, zink dhe gaz natyror, mirëpo është përfshirë nga dhuna për më shumë se gjashtë dekada.
Provinca është një pjesë kyçe e Korridorit Ekonomik Kinë-Pakistan (CPEC) i cili është pjesë e rutës kineze “One Belt One Road Initiative” të vlefshme miliarda dollarë.
Grupe të ndryshme sektare, duke përfshirë Talibanët dhe Lashkar-e-Jhangvi, kanë qenë gjithashtu aktive në rajon gjatë dekadës së fundit, veçanërisht në Quetta.


