![]()
Pakistani hapi hapësirën ajrore lindore për të gjithë avionët civilë, duke përfshirë atë të linjave ajrore indiane, tha një zyrtar i vendit.
“Sot kemi lëshuar njoftim dhe kemi hapur hapësirën ajrore lindore për të gjithë avionët civilë, duke përfshirë linjat ajrore nga India”, tha Ahmad Niazi, zyrtar i Autoritetit të Aviacionit Civil të Pakistanit, në një deklaratë për AA përmes telefonit.
Islamabadi mbylli plotësisht hapësirën ajrore më 26 shkurt pasi avionët indian shkelën hapësirën ajrore të Pakistanit dhe bombarduan një strehë të dyshuar militante pranë kufirit.
Linjat ajrore indiane kanë pësuar humbje të mëdha për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore nga Pakistani.
Air India, transportuesi kombëtar indian, humbi rreth 71,6 milion dollarë deri më 2 korrik, ndërsa IndiGo pësoi 3,7 milion deri më 31 maj, ka raportuar India Today, një gazetë indiane, duke cituar ministrin e shtetit për aviacion civil, Hardeep Singh Puri.
Dy rivalët e vjetër kanë përjetuar tensione diplomatike dhe ushtarake pas një sulmi vetëvrasës ndaj një konvoji ushtarak në Xhamu Kashmir në shkurt, nga i cili jetën humbën të paktën 40 trupa indianë.
New Delhi akuzon Islamabadin për bashkëpunim me grupin militant Jaish-e-Mohammad, i cili thuhet të ketë marrë përgjegjësinë për sulmin. Pakistani e ka mohuar akuzën.
Tensionet u ngritën më tej pasi avionët indianë shkelën hapësirën ajrore të Pakistanit dhe bombarduan një strehë të dyshuar militante pranë kufirit në shkurt. Një ditë më vonë, forcat ajrore të Pakistanit njoftuan të kenë rrëzuar dy avionë dhe kapën një pilot, i cili më vonë u lirua.


