Paktet detare me fqinjët, Pompeo përshëndet gadishmërinë e Greqisë

Mos i humb

Shtetet e Bashkuara përshëndesin gatishmërinë e Greqisë për të kërkuar marrëveshje detare me fqinjët e saj në rajon, thanë Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo dhe ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias pas bisedimeve që patën të hënën në Selanik.

Sekretari Pompeo po zhvillon një vizitë dy-ditore në Greqi mes tensioneve të shtuara rajonale për burimet e energjisë.

Në një deklaratë të përbashkët, dy vendet bënë thirrje për një zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve detare në Mesdheun lindor.

“Shtetet e Bashkuara dhe Greqia … ripohuan besimin e tyre që çështjet e caktimit të kufirit detar duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore në përputhje me të drejtën ndërkombëtare,” thanë dy vendet në deklaratë.

Aleatët e NATO-s, Greqia dhe Turqia, të cilat kanë mosmarrëveshje për një sërë çështjesh, kanë rënë dakord të rifillojnë bisedime mbi pretendimet detare pas shumë javë tensionesh.

Tensionet u shkallëzuan muajin e kaluar pasi Turqia dërgoi anijen e kërkimeve sizmike Oruç Reis, të shoqëruar nga anije ushtarake në një zonë të diskutueshme që mendohet të jetë e pasur me burime energjetike, në vijim të një marrëveshjeje detare të nënshkruar midis Greqisë dhe Egjiptit.

Turqia ka thënë se pakti shkel shelfin e saj kontinental.

Ankaraja e tërhoqi anijen Oruç Reis këtë muaj, duke thënë se donte t’i jepte një shans diplomacisë.

Zoti Pompeo tha se shpresonte që bisedimet paraprake, të cilat pritet të rifillojnë së shpejti, do të sjellin gjithashtu rezultate.

“Ne shpresojmë që bisedimet jo vetëm të fillojnë si duhet, por është e rëndësishme që ato të zhvillohen në një mënyrë që jep rezultate të cilat të jenë mëse të pranueshme nga secili prej dy vendeve,” tha zoti Pompeo për Athens News Agency.

Zoti Pompeo ka thënë më parë se Shtetet e Bashkuara janë “thellësisht të shqetësuara” për veprimet turke në Mesdheun lindor.

Është hera e parë që një sekretar amerikan i shtetit viziton Selanikun, që shihet si një portë për investime dhe tregti në Ballkan.

Marrëdhëniet në fushën e energjisë

Shtetet e Bashkuara gjithashtu shpresojnë të zhvillojnë më tej lidhjet e tyre të energjisë me Greqinë, e cila kërkon të bëhet një qendër energjitike në Ballkan, si dhe të ndihmojnë Evropën të diversifikojë burimet e saj të energjisë.

Athina tashmë importon sasi të mëdha gazi të lëngshëm nga SHBA. Greqia po krijon ndërkaq një depozitë lundruese për ruajtjen e gazit të lëngshëm dhe një uzinë të rigazifikimit pranë portit Alexandroupolis, që pritet ta dërgojë gazin në Bullgari përmes interkonektorit Greqi – Bullgari (IGB) dhe prej andej në Evropën Qendrore deri në fillim të vitit 2023.

Kompania ExxonMobil, Total e Francës dhe Helenic Petroleum e Greqisë kanë krijuar një sipërmarrje të përbashkët që do të eksplorojë për gaz dhe naftë pranë ishullit të Kretës.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë shprehur interes për privatizimin e porteve Alexandroupolis dhe Kavala në Greqinë veriore.

Zoti Pompeo dhe Ministri grek i Zhvillimit, Adonis Georgiadis, gjithashtu nënshkruan të hënën një marrëveshje shkencore dhe teknologjike. Dy vendet duan të bashkëpunojnë për inteligjencën artificiale, për sigurinë e rrjetit 5G dhe privatizimin e infrastrukturës strategjike, thuhej në deklaratën e përbashkët.

Sekretari Pompeo arriti në Kretë të hënën në mbrëmje, ku do të qëndronte në rezidencën e Kryeministrit Grek Kyriakos Mitsotakis. Ai do të vizitojë të martën bazën ushtarake Souda në Kretë. /VOA

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit