Presidenti i zgjedhur Donald Trump, emëroi të enjten ish-Prokuroren e Përgjithshme të Floridës, Pam Bondi, për postin e Prokurores së Përgjithshme të vendit – një post i barasvlershëm me atë të ministrit të Drejtësisë – duke vepruar me shpejtësi për të zëvendësuar ish-kandidatin Matt Gaetz.
Zonja Bondi është aleat prej një kohë të gjatë e zotit Trump. Ajo ishte një prej avokatëve të tij, kur Dhoma e Përfaqësuesve në Kongres ngriti akuzat e para ndaj ish-presidentit që synonin shkarkimin e tij. Zoti Trump u shpall i pafajshëm nga Senati lidhur me akuzat për abuzim me pushtetin e përpjekje për të kushtëzuar ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën.
“Për një kohë të gjatë, Departamenti politik i Drejtësisë është përdorur kundër meje dhe republikanëve të tjerë, por jo më”, shkruante zoti Trump në një postim në mediat sociale. “Pam do ta rifokusojë departamentin tek qëllimin e tij që janë lufta kundër krimit dhe për ta bërë Amerikën sërish të sigurt“, shtonte ai me tej.
Ish-ligjvënësi Matt Gaetz tërhoqi të enjten emrin e tij nga emërimi për postin e prokurorit të përgjithshëm nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump, duke thënë se procesi i konfirmimit të tij është shndërruar në një shpërqëndrim.
Me një mesazh në rrjetin X, zoti Gaetz njoftoi se pati takime të shkëlqyera një ditë më parë me senatorët dhe shprehu vlerësimin për mendimet e tyre dhe mbështetjen.
Gaetz shton se është bërë megjithatë e qartë se konfirmimi ishte shndërruar në mënyrë të padrejtë në një shpërqëndrim për punën jetike të ekipit të tranzicionit për administratën e ardhshme Trump-Vance. Zoti Gaetz mendon se kjo është arsyeja që po e tërheq emrin e tij nga shqyrtimi për postin e prokurorit të përgjithshëm, që në Shtetet e Bashkuara ka funksionet e ministrit të drejtësisë.
Tërheqja e papritur është një hap prapa për përpjekjet e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për të emëruar persona besnikë në postet e administratës së tij të ardhshme, por edhe një pranim i realitetit të rezervave mes vetë përfaqësuesve të Partisë së tij Republikane ndaj emërimit të tij. Duke u tërhequr, zoti Gaetz shmang atë që pritej të ishte një betejë e ashpër për konfirmimin, që do të kishte vënë në provë se deri ku mund të arrinin senatorët republikanë për të konfirmuar emërimet për anëtarët e kabinetit të ri Trump.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump shkruajti në një postim në mediat sociale se: “Vlerësoj shumë përpjekjet e Matt Gaetz-it për të siguruar mbështetjen për t’u bërë Prokuror i Përgjithshëm. Ai po ia dilte mbanë shumë mirë, por njëkohësisht, nuk dëshiroi të bëhet një shpërqëndrim për Administratën, për të cilën ai ka shumë respekt. Matt ka një të ardhme të mrekullueshme, dhe pres me padurim të shoh gjërat e shkëlqyera që ai do të bëjë!”.
Të mërkurën në mbrëmje Komisioni i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve nuk arriti të bjerë dakord nëse duhet ta publikonte ose jo raportin e tij hetimor për ish-ligjvënësin Gaetz, i akuzuar për abuzim seksual dhe përdorim droge, përpara se të emërohej nga Presidenti i zgjedhur Trump për postin e prokurorit të përgjithshëm.
Njoftimi i Gaetz u bë gjithashtu dy ditë pasi një avokat i dy grave tha se klientet e tij i kishin thënë hetuesve të Komisionit të Etikës se zoti Gaetz i pati paguar për marrëdhënie seksuale në disa raste, duke filluar që nga viti 2017, kur zoti Gaetz ishte ligjvënës i Floridas.
Një nga gratë dëshmoi se e pa zotin Gaetz duke bërë marrëdhënie seksuale me një 17-vjeçare në një festë në Florida në vitin 2017, sipas avokatit Joel Leppard. Zoti Leppard ka thënë se klientja e tij dëshmoi se ajo nuk mendonte se Matt Gaetz-i e dinte se vajza ishte e mitur, se e ndërpreu marrëdhënien e tyre kur e mori vesh dhe nuk e rifilloi atë derisa ajo mbushi 18 vjeç. Mosha e ligjshme në Florida për marrëdhënie seksuale konsensuale është 18 vjeç.
Gaetz ka mohuar me forcë të ketë bërë shkelje dhe tha vitin e kaluar se hetimi i Departamentit të Drejtësisë mbi akuzat për trafikim seksual, ku përfshiheshin vajza të mitura, kishte përfunduar pa asnjë akuzë federale të ngritur ndaj tij.
E ardhmja politike e zotit Gaetz është e pasigurt, për momentin. Ai dha dorëheqjen papritur nga vendi i tij në kongres, pasi u përzgjodh për t’u emëruar prokuror i përgjithshëm. Kjo lëvizje u pa si një mënyrë për të mbyllur hetimin e Komisionit të Etikës për akuzat për sjellje të pahijshme seksuale.
Republikanët në këtë komision refuzuan këtë javë të publikonin gjetjet e tij, megjithë kundërshtimet nga demokratët dhe një votim të ndarë. Por komisioni pranoi ta mbyllë takimin dhe kishte planifikuar të mblidhej sërish më 5 dhjetor për ta diskutuar këtë çështje.
Zoti Gaetz fitoi rizgjedhjen në nëntor për në Kongresin e ri, i cili mblidhet më 3 janar 2025. Por është e paqartë nëse ai do ta marrë detyrën e re.
/VOA