Partia Demokratike ka gati një paketë me tre nisma ligjore mbi kriteret e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Kështu deklaroi sot, 26 maj, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili nuk hezitoi me akuzat në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë sa i takon procesit të negociatave. Ai u shpreh se opozita nuk do të humbasë më kohë me retorikë boshe, por do të konkretizojë në ditët në vijim akte ligjore në bazë të kushteve që ka vënë BE.
Sipas tij, për herë të parë, Bashkimi Europian ka kthyer në kushte zyrtare çështje që lidhen drejtpërdrejt me mënyrën se si po qeveriset vendi.
“BE kërkon zyrtarisht parandalimin e rrjetit të patronazhimit dhe përdorimin e pushtetit institucional si mjet presioni elektoral”, theksoi demokrati.
Përmes komisioneve hetimore, tha ai, BE kërkon mbikëqyrjen efektive të veprimeve të qeverisë.
Kjo deklaratë nga kampi blu vjen në moment të rëndësishëm për vendin tonë. Pasditen e kësaj të marte do të mbahet Konferenca e 8-të Ndërqeveritare në Bruksel.


