Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi në Kuvend lidhur me kërkesat e opozitës për debat mbi projektrezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë, duke i cilësuar ato si të nxituara dhe jashtë praktikës institucionale.
Balla shprehu mirënjohjen për 55 eurodeputetët e Komisionit të Politikës së Jashtme në Parlamentin Europian që votuan projektrezolutën, duke theksuar se dokumenti pasqyron progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.
“Kjo është një projektrezolutë e Parlamentit Evropian mbi raportin e Komisionit Evropian për vitin 2025. Tani që të mos bëhemi edhe qesharakë brenda këtij minutazhi, tani Parlamenti Evropian këtë dokumentin do ta miratojë vetë në 16 ose 17 qershor, sepse e ka miratuar Komisioni dhe do ta miratojë seanca plenare, se prandaj quhet projekt”, tha ai.
“Tani na kërkohet që ta bëjmë ne diskutimin përpara se ta miratojë Parlamenti Evropian. Tani mos na bëni qesharakë, ne jemi shumë të gatshëm, kur ta doni ju, kur ta doni ju, por ne e kemi programuar javën tjetër me 14 maj, kemi diskutimin e raportit të Komisionit dhe raportin vjetor që përgatit Shqipëria, javën tjetër”, vijoi Balla.
Balla tha se “kjo historia për të marrë këtë dyminutëshin këtu, për të bërë lajmin, për të thënë që ne kërkuam një diskutim për raportin që është projektrezoluta e Komitetit të Politikës së Jashtme, kjo nuk shkon”.
“E para na bën qesharakë se ne do presim ta miratojë Parlamenti Evropian dhe besoj që do jemi dhe një delegacion nga ne në seancën plenare të Parlamentit Evropian në 16-17, siç ka qenë edhe një praktikë, dhe ndërkohë në 7-8 korrik, a 8-9 korrik, kemi dhe Komitetin Parlamentar të Stabilizimit e Asocimit, ku natyrshëm bashkë me kolegët e Parlamentit Evropian do ta diskutojmë dhe këtë dokument”, tha Balla, ndërsa theksoi se për shqiptarët, projektrezoluta, e kaluar me 55 vota pro, 7 kundër, 7 abstenim të martën.
“Po kur t’i shohësh, rëndësi ka që të ruajmë edhe seriozitetin institucional dhe serioziteti institucional është, e mirëpresim diskutimin sapo ky dokument të miratohet, sepse e kërkon edhe një lloj praktike institucionale mes institucioneve. Kështu që kryetar, javën tjetër e kemi debatin për raportin”, përfundoi Balla.
Kryetari i Kuvendit e hodhi në votim kërkesën për ndryshimin e rendit të ditës dhe seanca e rrëzoi me shumicë votash.


