PD, me vezë kundër Ramës; PS: Vezët i futi Basha, të përjashtohet!

Mos i humb

Rikthimi në Parlamenti i opozitës, pas gati 6 muajsh bojkot, ktheu edhe incidentet në sallën plenare.

Seanca nisi normalisht, ndonëse propozimi i socialistëve për të futur në rendin e ditës draftin e tyre për reformën zgjedhore, solli reagimin e Lulzim Bashës.

Edi Rama kishte ndërmend të fliste më pak nga 40 minutat që i kishte rezervuar grupi i tij parlamentar, por demokratët, përmes dorës së Endri Hasës, ia shkurtuan akoma më shumë kohën në foltore.

Por, si ndodhi incidenti? Kamera e Top Channel regjistroi deputetin Hasa që para se të godiste Ramën, shkon të konsultohet me shefin e tij, Lulzim Bashën. Ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë, të publikuara në Facebook nga numri dy i PS-së, Taulant Balla, sjellin të njëjtin moment nga një kënd tjetër. Është kryedemokrati Basha ai që thërret deputetin e tij e ndërsa ky i afrohet, duket ndërsa zgjat duart në xhepat e shefit.

Byroja përjashtoi më pas me 10 ditë deputetin Endri Hasa, ndërkohë që kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla konfirmoi për Top Channel se mazhoranca do kërkojë edhe përjashtimin e vetë kryedemokratit Basha, për gjuhën e përdorur dhe si nxitës i akteve të dhunës.

Vezët nuk ishin të vetmet objekte që hodhën demokratët në adresë të kryeministrit. Partia Demokratike shpërndau pamje ku, gjatë ndërprerjes së seancës, në mungesë të medias, deputetët e saj hedhin në adresë të kryeministrit projektligjet e rendit të ditës.

Edhe për këto veprime mësohet se PS do të kërkojë përjashtimin e deputetëve Flamur Noka, Edi Paloka e Gent Strazimiri, ndërsa PD kërkoi përjashtimin e kryeministrit Edi Rama për fjalor fyes.

Rama komentoi incidentin përmes dy postimeve në Tëitter: “Të kthyer pas një qëndrimi të gjatë rrugëve, opozitarët tanë jo vetëm duket e paskan të vështirë të përshtaten me rregullat e sjelljes jorrugore, po si duket e paskan vrarë kohën koteceve duke dhunuar pula e vjedhur vezë, kur kaluan në ilegalitet nga frika e mllefit të studentëve. U djeg xhani për studentët, por seancën e kërkuar për ta e kthyen në një konflikt rrugësh, duke bllokuar me dhunë debatin që kërkuan vetë. Ky është modeli i tyre për rininë, prandaj s’është çudi kur hasim të rinj, që sharjet i dinë për trimëri dhe refuzimin e Dialogut për forcë”.

Refuzimi i deputetit Hasa për t’u larguar nga salla pas përjashtimit detyroi kryeparlamentarin Gramoz Ruçi që të ndërpresë seancën duke e shtyrë për pasdite.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit