Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku i propozoi sot qeverisë vendosjen e një sistemi taksimi TVSH-je të reduktuar për mallrat e shportës si dhe sektorin e bujqësisë.
Gjatë diskutimit nen për nen të projektbuxhetit për vitin 2025, në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Tabaku tha se TVSH mund të jetë e reduktuar dhe në dy nivele në sektorin e bujqësisë, për të nxitur produktin vendas.
Kjo praktikë, sipas saj, aplikohet edhe në vende të Bashkimit Evropian.
“TVSH mund të jetë me dy nivele për shportën e ushqimeve dhe sektorin bujqësor, agropërpunimin, me qëllim nxitjen e produktit vendas. Meqenëse qeveria ka 3 vite që mendohet për këtë, stafi i komisionit të Çështjeve Europiane mund të vendosë në dispozicion informacionin për të parë që përjashtimet që ka bërë qeveria shqiptare janë të gjitha për një grup shumë të vogël, kryesisht në sektorin e turizmit, dhe që nuk kanë impakt dhe nuk nxisin ekonominë“, tha ajo.
Sipas saj, këto reduktime e përjashtime duhen reduktuar gradualisht dhe duhet lëvizur drejt reduktimeve që aplikohen edhe në vendet e BE-së.
“Këtu i referohem TVSH për bujqësinë dhe rregullimin e atij gabimi që qeveria ka bërë dhe TVSH e shportës”, tha Tabaku.
Por deputeti i PS-së, Erion Braçe tha se te bujqësia apo përpunimi nuk mund të operohet me TVSH të diferencuar.
“Duhet barazimi i TVSH-së. Në rast aplikimi të një shkalle të ndryshme nga fermeri, te grumbulluesi e përpunuesi, përsëri vijmë në skemën që nuk interesohet kush të mbledhë brenda vendit prodhimin bujqësor për ta përpunuar dhe, siç e tha FMN javën e shkuar, të shtojë vlerën në përpunimin e këtyre produkteve”, deklaroi Braçe.
Ajo që mund të vlejë si përjashtim, theksoi ai, është tek inputet bujqësore, jo për shkak të çmimit, por për shkak të presionit të kontrabandës që vjen nga vendet fqinje, që e kanë normën zero të TVSH për inputet bujqësore.


