Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, përshëndeti sot stërvitjen ushtarake “Defender Europe 2023”, teksa shprehu gatishmërinë e bashkëpunimit me SHBA, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Ai e cilësoi si një “stërvitje e jashtëzakonshme që na bën të ndihemi krenarë, pas suksesit të arritur dy vite më parë në “Defender Europe 2021″. Shpresojmë që këto stërvitje të kthehen në traditë në rritjen e ndërveprimit të FA me forcat e NATO-s në përballjen me çdo lloj situate”, tha Peleshi.
“Stërvitja “Defender Europe 2023”, vijoi ministri, “është një stërvitje shumëdimensionale e drejtuar nga ushtria amerikane, ndërsa është përfshirë personeli elitë i 26 vendeve aleate. Mes tyre po përfaqësohet edhe personeli elitë i vendeve të Ballkanit Perëndimor, konfirmim ky për të treguar mbështetjen e plotë për mbrojtjen e parimeve dhe vlerave që ndan aleanca jonë”.
“Kjo stërvitje ka natyrë mbrojtëse dhe fokusohet në përgatitjen e përbashkët për të përballuar krizat, duke reflektuar stabilitet e siguri në vendet e Evropës. Defender zhvillohet në një kohë krize dhe të vështirë, teksa kufijtë po kërcënohen para sulmit të paprecedente dhe brutal rus në Ukrainë. Ukraina meriton mbështetjen tonë”, tha Peleshi.
Ministri vuri në dukje se, “Shqipëria ka partneritet të fortë me Amerikën në fushën e sigurisë dhe mbrojtës, gjë për të cilën ne jemi shumë krenarë.
“Sot po përballojmë detyra drejtuese, koordinuese. S’është hera e parë që kolegët tanë stërviten me partneritetin tanë, por është një profesionalizëm i madh i tyre.
Synimi ynë është se jemi në gjendje të përballojmë çdo sfidë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Vendet e Ballkanit perëndimor mbeten të palëkundura drejt rrugës euroatlantike.
S’ka asnjë dyshim që këta popuj aspirojnë të bëhen pjesë e BE”, deklaroi ai.
Peleshi theksoi se, bashkëpunimi i ngushtë tregoi se, ne mund të funksionojmë së bashku shumë mirë.
“Më vjen mirë që kjo stërvitje na la mundësi të provojmë veten para partnerëve dhe qytetarëve tanë. Ndihuni si në vendin tuaj, shijoni mikpritjen shqiptare dhe kthehuni sërish”, u shpreh Peleshi.