Për një muaj, 57 raste të dyshuara, asnjë me koronavirus në Kosovë

Mos i humb

Nga data 08.02.2020 deri me 08.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 57 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) gjatë ditës së sotme me 08 mars 2020, ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK-së se nuk ka asnjë rast të dyshimtë në COVID-19.

Me datë 08.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK nuk është testuar asnjë mostër në virusin SARS-CoV-2.

Nga data 01.02.2020 deri me 08.03.2020 në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 3.360 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 475 udhëtarë, Merdare 1.464, Vërmicë 1.021, Jarinje 219, Dheu i Bardhë 70, Hani i Elezit 66, Kullë 25, Qafë Morinë 13 dhe Bërnjak 7 udhëtarë.

Aktivitetet në lidhje me monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së
COVID-19

1. Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse ka konstatuar se janë përforcuar masat për monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së COVID-19 që konsistojnë në:

• Vazhdimin e zbatimit të parimeve themelore nacionale të reagimit në sistemin e mbikëqyrjes së rasteve.
• Depistimin dhe detektimin e rasteve të dyshimta, si dhe përcjelljen e dinamikës së sëmundjes;
• Konfirmimin laboratorik të rasteve të raportuara;
• Aktivizimin e ekipeve për hulumtim të epidemisë;

2. Ekipet e IKSHPK dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare po përcjellin me vëmendje situatën epidemiologjike me Coronavirus në pikat hyrëse tokësore dhe aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”.

3. Duke pasur parasysh situatën epidemiologjike ditet e fundit, fluksin e madh të udhtarëve të kthyer nga vatrat epidemike, vlerësimin e OBSH (1 mars 2020) që e konsideron situatën ME RISK SHUMË TË LARTË NË TËRË BOTËN dhe ECDC (2 mars 2020) që e vlerëson si RISK I LARTË, dhe në përputhje me masat e planifikuara nga Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Komitetit për Monitorimin e Sëmundjeve Ngjitëse.

4. Ardhja e shtuar e udhtarëve nga zonat epidemike të Italisë së Veriut dhe shteteve tjera me raste të regjistruara konsiderohet risk i lartë, është rekomanduar Ministri i Shëndetësisë dhe Institucionet relevante të Sigurisë në Kosovë:

Së pari, nëse ekziston mundësia e ndaljes së përkohshme të fluturimeve nga zonat epidemike. Por, nëse kjo nuk mund të bëhet për shkaqe tjera joepidemiologjike, atëherë bashkë me Kryeinspektorin Sanitar të AUV të zbatohet kontrolli mjekësor i shtuar për parandalimin e luftimin e sëmundjeve ngjitëse. Me rastin e futjes së udhëtarëve të këtij fluturimi në aeroport, të kryhet kontrolli shëndetësor dhe sipas udhëzuesit të definimit të rastit të dyshimtë të rekomandohen për vetëkarantinim të obliguar dhe të gjithë udhëtarëve në mënyrë të OBLIGUAR t’iu merren të gjitha të dhënat e sakta për vendbanimin e tyre në Kosovë të saktë nën betim për pasojat, si dhe profesionin e tyre. Kjo procedurë është e obliguar nga ekipi mjekësor dhe për çdo vështirësi duhet të ofrohet mbështetja dhe ndihma në aeroport nga Policia e Kosovës. Policia e aeroportit ndihmon marrjen e detajeve të vendbanimit të cdo udhëtari që zbarkon në aeroport me dyshimin së mund të jetë prekur nga sëmundja apo ka qenë në kontakt të afërt, në mënyrë që ata të vetëkarantinohen dhe të posedohen adresat e sakta të tyre për të kontrolluar zbatimin e kësaj mase nga policia e Kosovës.

5. Aktivitetet e rekomanduara nga Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse kanë vazhduar me masat për parandalimin e virusit në institucionet arsimore të Kosovës që konsistojnë në:
• Shpërndarjen e materialeve të edukimit dhe promovimit shëndetësor, posterëve dhe lifleteve.
• Organizimin e ligjëratave përkushtuar njohurive për Coronavirusin COVID- 19, të organizuara nga arsimtarët dhe profesorët me përkrahje të specialistëve të shëndetësisë publike të IKSHPK.
• Ndërmarrjen e hapave sipas rekomandimeve të IKSHPK që në të gjitha institucionet shkollore të bëhet dezinfektimi i shtuar i të gjitha sipërfaqeve dhe nyjeve sanitare.
6. Është ngritur shkëmbimi i informatave ndërinstitucionale mes Ministrisë së Shëndetësisë, IKSHPK, Qendrës së Situatave, Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave, SHSKUK, AUV, QKMF-ve, Policisë së Kosovës, FSK, MASHT.

7. IKSHPK, thekson se nuk ka vend për panik, por për kujdes të shtuar duke përsëritur rekomandimet:
• Shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes!
• Sa të jetë e mundur shmangni përshëndetjen me shtrëngim të duarve!
• Shmangni përqafimet dhe puthjet për aq kohë sa jeni në rrezik nga infeksionet respiratore!
• Lani shpesh duart, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!
• Lani duart porsa hyni në shtëpi!
• Lani duart para fillimit të përgatitjes së ushqimit!
• Lani duart pas përdorimit të tualetit!
• Lani duart sa më shpesh me ujë e sapun 20-30 sekonda, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!
• Evitoni përdorimin e tualeteve publike!
• Lani duart sa herë që teshtini apo kolliteni!
• Shmangni prekjen e fytyrës dhe mbuloni gojën dhe hundën me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes. Pastaj hudhni faculetat e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave!
• Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit!
• Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes!
• Mos frekuentoni ambientet mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz!
• Pini sa më shumë ujë, lëngje, çaj me limon!
• Të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike nëse përdorin transportin publik të përdorin maska!
• Gjatë udhëtimit përdorni ushqime të paketuara!
• Personat të cilët kanë histori udhëtimi në zonat të cilat raportojnë për përhapje lokale të COVID-19 brenda 2 javëve të fundit, kanë kontakt të afërt me personat e konfirmuar ose të mundshëm me COVID-19, dhe kanë ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore!
• Nëse personi nuk ka kontakt të afërt me të sëmurin por vetëm është kontakt potencial për atë se ka qëndruar në vendet ku ka raste me COVID-19, personit të tillë i rekomandohet izolimi vetë-shtëpiak edhe në prani të anëtarëve tjerë të familjes.

• Kontaktet këshillohen për monitorim të shëndetit për 14 ditë pas datës së fundit të ekspozimit dhe të kërkojnë kujdes të menjëhershëm shëndetësor nëse shfaqin ndonjë simptomë, veçanërisht ethe, temperaturë, simptoma të frymëmarrjes, siç janë kollitja ose vështirësi në frymëmarrje ose diarreja.
• Kontaktet duhet të konsiderojnë ushtrimin e vetë-izolimit për 14 ditë në shtëpi
• Është me rëndësi që ky person nuk duhet të shkojë në punë, shkollë, kino dhe ambientet publike ku ka grumbullim të shumë personave
Rregulla e parë e izolimit në shtëpi është:
• Personat e moshuar dhe fëmijët të ndahen nga anëtarët tjerë të familjes.
• Të shfrytëzohen peceta, të dezinfektohen sipërfaqet dhe gjësendet, sa më shpesh të lahen rrobat, mbajtja e higjienës së duarve është esenciale dhe të shmanget prekja e hundës, gojës dhe syve.
• Gjatë kollitjes dhe teshtitjes të përdoret peceta dhe ato të hudhen në vende të sigurta.
• Nëse ka mundësi secili të bëjë gjumin në shtratin e vet dhe të shfrytëzojë banjo personale.
• Mos pranoni vizita nga të afërmit dhe miqtë në shtëpi.
• Nëse keni kafshë shtëpiake largoni ato ose pas çdo kontakti me to lani duart me ujë dhe sapun.
• Monitoroni simptomet e juaja.
• Thirrni mjekun tuaj para vizitës në kujdesin shëndetësor.
• Menaxhoni në mënyrën e duhur mbeturinat.
• Brenda mjediseve të institucioneve të kujdesit shëndetësor, të forcohen praktikat standarde të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës!
• IKSHPK rekomandon të gjithë që të mos udhëtojnë drejt zonave/ shteteve me Koronavirus, nëse nuk e kanë të domosdoshme!

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 08 mars 2020, janë raportuar gjithsej
105.828 raste me COVID-19 dhe gjithsej 3.584 raste të vdekjes, derisa në BE dhe Mbretëri të bashkuar, janë raportuar 9.161 raste me COVID-19 dhe 251 raste të vdekjes Itali (233), Francë (10), Spanjë (5), Mbretëri e Bashkuar (2) dhe Holandë (1).

Në rast të ndryshimit apo përkeqësimit të situatës epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë, rekomandimet mund të pësojnë ndryshime. Qytetarët do të jenë të informuar në kohë reale për çdo ndryshim eventual të tillë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit