![]()
Bisedimet që synojnë zgjidhjen e krizës politike në Venezuelë mund të rifillojnë javën e ardhshme në ishullin e Karaibeve, Barbados.
Burimet që ndjekin nga afër bisedimet mes përfaqësuesve të presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro dhe të Juan Guaido, i cili ka deklaruar veten si president të përkohshëm të vendit në një deklaratë për Associated Press kanë theksuar se bisedimet mbi zgjidhjen e procesit politik mund të rifillojnë javën e ardhshme në Barbados aty ku kanë mbetur.
Një nga burimet që nuk dëshiron të identifikohet bën të ditur se Barbadosi është një vend i preferuar nga palët për momentin dhe se po punohet mbi detajet. Ndër të tjera burimi ka shtuar se ekziston edhe mundësia që bisedimet të transferohen në minutën e fundit në Norvegji.
Në fund të muajit të kaluar nën ndërmjetësimin e Norvegjisë u zhvilluan bisedime mes qeverisë së Venezuelës dhe opozitës.
Zhvillimet në Venezuelë
Tensionet u përshkallëzuan kur Guaido, i cili kryeson Asamblenë Kombëtare të Venezuelës, u vetëshpall si president i përkohshëm më 23 janar, një veprim i cili u mbështet nga SHBA-të dhe shumë vende të Evropës dhe Amerikës Latine.
Guaido dhe Leopoldo Lopez i cili ka shkelur arrestin shtëpiak bashkë me një grup ushtarakësh tentuan të rrëzojnë qeverinë e Maduros duke i bërë thirrje popullit për të dalë në rrugë. Pas kësaj thirrjeje opozitarët dolën në rrugët e shumë qyteteve të vendit ndërsa më pas protestat u shndërruan në akte dhune kryesisht përreth La Carlota në Caracas.
Në fund të ditës ku edhe mbështetësit e Maduros dolën në rrugë dhe u mblodhën përreth rezidencës Miraflores, Lopez fillimisht u strehua në ambasadën e Kilit dhe më pas në atë spanjolle ndërsa Guaido u shfaq në një video-mesazh dhe i bëri thirrje popullit sërish të dalë në rrugë.
Si rezultat i hetimeve të iniciuara pas ngjarjeve disa deputetë të AN-së u arrestuan ndërsa të tjerët u strehuan në ambasadat e vendeve evropiane dhe rajonale.


