Përfundon takimi Hoti-Vuçiq në Bruksel

Mos i humb

Ka përfunduar takimi midis kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti si dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel.

Takimi i parë fizik midis palës kosovare dhe asaj serbe u cilësua nga kryeministri kosovar si i “vështirë”, megjithëse ka thënë se është shënuar progres në procesin e stabilizimit të marrëdhënieve midis të dyja vendeve, por detajet do të bëhen të ditura në ditët e ardhshme. Po kështu, ditëve të ardhshme është thënë se do të bëhet e ditur edhe dita e takimit të radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Hoti pas takimit iu tha gazetarëve se me insistimin e tij, është diskutuar për dy çështje të rëndësishme, njëra nga të cilat çështja e të pagjeturve të luftës së fundit në Kosovë.

“Sapo e mbaruam takimin e parë në Bruksel për procesin e dialogut, që po fillon pas një periudhe 20-mujore mbi parimet e qarta për këtë proces, të cilat ua kemi prezantuar edhe më parë partnerëve tanë ndërkombëtarë. Me insistimin tonë sot kemi biseduar për dy tema të rëndësishme për qytetarët e Kosovës dhe të të dyja vendeve: nën 1, për të pagjeturit, dhe 2 për bashkëpunimin ekonomik. Takimi ka qenë i vështirë”, ka thënë Hoti.

Kryeministri Hoti po ashtu ka thënë se qëndrimet që i ka paraqitur janë të palëkundura dhe nuk do të lëvizë prej tyre, duke shtuar se “e vetmja zgjidhje është njohja reciproke në mes Kosovës e Serbisë”.

Nikoqir i këtij takimi ka qenë përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, si dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Në një fjalë rasti, Borrel para takimit Hoti-Vuçiq theksoi se pret një qasje pragmatike dhe frymë kompromisi në takimin mes kryeministrit Hoti dhe presidentit Vuçiq.

“Pres një takim konstruktiv, si elementi i parë i bisedimeve, që do të kontribuojë në normalizimin gjithëpërfshirës mes Kosovës dhe Serbisë. I inkurajoj të dyja palët që t’u qasen bisedimeve të sotme në frymën e kompromisit dhe pragmatizmit, dhe me mendjen tek e ardhmja evropiane për popujt e tyre”, ka thënë Borrell.

Ky takim në Bruksel vjen pas një takimi virtual që kishin palët më 12 korrik, ndërsa është i pari takim fizik pas më shumë se 20 muajsh, që kur ishte ndërprerë dialogu me arsyetimin e Serbisë se nuk mund të ketë dialog me kushte, pasi që Kosova kishte vendosur tarifë prej 100 për qind për mallrat e importuara në Kosovë me origjinë serbe.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit