“Përgjegjësia është e të gjithëve”/ Ministrja Kushi fajëson qëndrimin në rrjete sociale për vdekjen e 13-vjeçarit

Mos i humb

Ngjarja e Lushnjes ku një fëmijë 13 vjeçar u vetëvar duhet të alarmojë të gjithë shoqërinë, familjen, shkollat e çdo institucion. Secili duhet të marrë përgjegjësitë e veta tha Ministrja e Arsimit Evis Kushi duke fajësuar orët e gjata e të pakontrolluara në internet të fëmijëve.

Kushi: Është një shqetësim që e kam ngritur prej kohësh, edhe në media, edhe në takimet që zhvilloj me mësues, me prindër, ekspertë të institucioneve arsimore, fëmijët rrinë për një kohë të gjatë dhe aksesojnë në burime të pakontrolluara informacioni që jo thjesht është sjellë pasoja për shkak të prishjes së regjimit sepse për orë të gjata natyrisht dhe për shëndetin nuk i bën mirë, por mbi të gjitha influencon sjelljen e tyre. Rasti i 13-vjeçarit në Lushnje akoma nuk është vërtetuar se cila ka qenë arsyeja, por dyshimet janë për shkak të angazhimit të tij të madh në rrjete sociale, përdorimi i programeve dhe videove të caktuara.

Por është përgjegjësi e të gjitha institucioneve dhe e të gjithë shoqërisë. Ne si institucione arsimore pa dyshim që kemi përgjegjësi të lartë në edukimin e fëmijëve, në informimin e tyre për rreziqet që mund të vijnë nga përdorimi i tepruar i teknologjisë apo qëndrimi me orë të zgjatura në telefona celularë apo iPad, kompjuter dhe internet, por kjo është një detyrë që duhet ta bëjmë të gjithë së bashku, jo vetëm punonjësit psikosocial, jo vetëm institucionet arsimore, por edhe familja e shoqëria. Jemi dëshmitarë të rasteve kur prindërit i lejojnë fëmijët që të rrinë me orë të gjata dhe as nuk i kontrollojnë se çfarë informacionesh marrin dhe ku i aksesojnë. Prandaj them që përgjegjësia është e jona.

Edhe pse ngjarja është në hetim, deklaratat e shokëve kanë ngritur dyshimin se 13 vjeçari po përgatiste një video për Tik Tok. Ministrja tha se ka iniciuar një diskutim të gjerë për të marrë mendime se cilat janë rrugët e duhura për kontrollin e fëmijëve para riskut kibernetik.

Evis Kushi: Kam bërë një ftesë publike që të hapim një debat të gjerë çfarë duhet të bëjë gjithsecili, çfarë përgjegjësish duhet të marrë në mënyrë që të mos dëmtojmë as shëndetin, as të ardhmen e fëmijëve tanë, por e kundërta, të ndërtojmë strategji e politika se si ti edukojmë sa më mirë dhe sa më shëndetshëm.

Dy vitet e fundit, prioritetet tona kanë ndryshuar për shkak të tërmetit dhe pandemisë. Një pjesë e buxheteve që kanë qenë çdo vit në dispozicion për rikonstruksionin e shkollave në të gjithë vendin janë fokusuar tek shkollat e dëmtuara nga tërmeti. Që nga viti i ardhshëm, me buxhetin e vitit 2022, kemi 1.2 miliard lekë në dispozicion për rikonstruksionin e shkollave jo vetëm në zonat e tërmetit, por edhe në bashki të tjera në të gjithë Shqipërinë.

Nëse dikur në shkolla kishte vetëm drejtor, mësues dhe staf mbështetës, sot kemi dhe mësues ndihmës për nxënës me aftësi ndryshe, punonjës psikosocial, oficerët e sigurisë, sidomos në shkollat e mesme janë ndihmë shumë e madhe për fenomenet që mund të ndodhin për dhunën apo bullizmin. Pra kemi shtuar jo vetëm shumë komponentë, por punojmë vazhdimisht që të mos kemi vetëm numra të shtuar, por edhe njerëz profesionistë e të aftë.

Deklaratat Ministrja e Arsimit i bëri në Elbasan ku pati një takim me stafin akademik dhe studentë të Universitetit Aleksandër Xhuvani.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit