Grupet e ndihmës kanë paralajmëruar për rrezikun në rritje të përhapjes së sëmundjeve, që mund të ndërlikojë edhe më shumë krizën humanitare në Libi.
Shpresat për gjetjen e më shumë të mbijetuarve pas përmbytjeve vdekjeprurëse janë zbehur.
Përmbytjet e javës së kaluar goditën qytetin-port të Dernas pasi dy diga shpërthyen si pasojë e presionit të shkaktuar nga shirat e rrëmbyeshëm dhe nga një stuhi e fuqishme.
Autoritetet kanë dhënë shifra të ndryshme sa i përket viktimave, përderisa zyrtarët në lindje të këtij shteti të ndarë kanë thënë se të paktën 3.840 persona kanë vdekur.
Organizatat e ndihmës sikurse Ndihma Islame dhe Mjekët pa Kufi kanë paralajmëruar se tani ekziston rreziku i përhapjes së sëmundjeve, por edhe i vështirësive që ndihma humanitare të arrijë te ata që kanë më së shumti nevojë.
Ndihma Islame paralajmëroi për “një krizë të dytë humanitare” pas vërshimeve, duke theksuar se “ka rrezik në rritje të shfaqjes së sëmundjeve nga uji i kontaminuar, por edhe për mungesë të ushqimit, strehimit dhe ilaçeve”.
“Mijëra njerëz nuk kanë ku të flenë dhe nuk kanë ushqim”, tha Salah Aboulgasem nga kjo organizatë. “Në kushte të tilla, sëmundjet mund të përhapen shpejt pasi sistemi i ujit është i kontaminuar. Qytetit i vjen era vdekje. Pothuajse të gjithë kanë humbur dikë që e njohin”, shtoi ai.
Ndërkaq, Mjekët pa Kufi njoftuan se do të dërgojnë ekipe në lindje të Libisë për të vlerësuar se si është situata me ujin dhe situata sanitare.
“Me këto ngjarje, ne vërtetë shqetësohemi me sëmundjet që lidhen me ujin”, tha Manoelle Carton, koordinator mjekësor i organizatës në Derna, që i përshkroi përpjekjet për koordinim të ndihmës si “kaotike”.
Por, Kryqi i Kuq dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë thënë se trupat e pajetë të fatkeqësive natyrore rrallë paraqesin rrezik shëndetësor.