Kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama ka pranuar sot edhe zyrtarisht detyrën e të parit të kryeqytetit. Rama ka dhënë betimin para anëtarëve të asamblesë komunale të Prishtinës.
“Unë Përparim Rama betohem se do t’i kryej detyrat dhe do t’i ushtroj kompetencat si kryetar i Prishtinës me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme që të sigurojë kushte për një jetë të qetë për të gjithë”, tha Rama.
Ai shtoi se sot është ditë e veçantë për qytetarët e Prishtinës, dhe se nga sot zëri i tyre nuk është moto e fushatës, por zotim i tij dhe i ekipit.
“Besimi i qytetarëve më jep përgjegjësi të jashtëzakonshme. Jam i vetëdijshëm që kjo detyrë përtej privilegjit është obligim serioz dhe sfidë e madhe që do t’i vihemi përpara me punë të ndershme, me profesionalizëm dhe me dinjitet” tha Rama.
Rama tha se ndjehet mirënjohës për të gjithë qytetarët e Prishtinës në çdo lagje e fshat.
“Guximi me ja dashtë të mirën vendit tonë, të mos ndalet këtu. Forca e uniteti, sinqeritetit e bashkimit na duhet për të quar përpara këtë qytet”, u shpreh kryetari i ri i Prishtinës.
Rama shtoi se Prishtina do të jetë vend plot gjallëri e mundësi për të rinjtë.


