14 deputetë socialistë i kanë drejtuar dje, 17 tetor, shkresë zyrtare kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për përjashtimin me 30 ditë nga punimet në Parlament të kreut të grupit të PD-së, Gazment Bardhi.
Kjo pasi sipas tyre, Bardhi ka thyer në mënyrë të përsëritur rregulloren e Kuvendit, duke ofenduar kryeparlamentarin dhe duke krijuar kaos në sallë me ndërhyrjet dhe tonet e larta.
Kujtojmë se në seancën e së enjtes, PS e PD patën debate të ashpra mbi çështjen e gjenocidit në Kosovë, por edhe protestën e mbajtur dje, 17 tetor, në sheshin Skënderbej në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Deputeti demokrat Gazment Bardhi u përjashtua nga seanca plenare pasi ndërpreu disa herë Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Gazmend Gajda, i cili po raportonte si çdo vit në Kuvend.
“Në bazë të rregullores, ju jap masën e tretë, ju hiqet e drejta e fjalës për gjithë ditën e sotme… Atëherë po ju jap masën e katërt. Përjashtoheni nga seanca, largohuni, lini sallën!”, i tha kryetari i Kuvendit Niko Peleshi.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, e paralajmëroi që atë ditë se do të kërkonte përjashtimin e Bardhit, por me 10 ditë. Pavarësisht tensioneve, Bardhi refuzoi të largohej nga salla, duke e detyruar Peleshin të ndërpriste seancën.
“Skenari i përjashtimit të opozitës nga seanca ishte ndërtuar shumë kohë më para se Niko Klouni të dilte ta shpallte në seancë. Gabimisht, Taulant Balla, në vend që të shkruante tek Grupi i PS, shkruan te Grupi i Konferencës së Kryetarëve në Kuvend dhe urdhëron të gjithë drejtuesit e institucioneve të veta që të kujdesen për të sjellë në sallë deputetët e PS”, deklaroi Bardhi para gazetarëve më 16 tetor.