Zëdhënësja e Partisë së Lirisë, Dea Nako tha sot gjatë një daljeje për mediet se një nga synimet e kësaj partie është ndërtimi i një programi që lufton shpopullimin dhe siguron një të ardhme të sigurt për familjet dhe fëmijët.
Nako tha se “PL ka përgatitur një paketë masash që do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të jetesës për çiftet dhe familjet me fëmijë”.
Disa nga masat kryesore, sipas saj, janë paga për nënat për dy vite pas lindjes (70-100%); apartamente për çiftet që janë në fazën e krijimit të një familjeje që do të mbështeten me mundësi për të siguruar strehim të përshtatshëm, duke ofruar apartamente të subvencionuara, kredi me interes të subvencionuar për blerjen e apartamenteve; ushqim dhe suplemente ushqimore falas për gratë shtatzëna dhe fëmijët e lindur; reduktim i vdekshmërisë foshnjore dhe të nënave; punësim prioritar për nënat e reja që kthehen në punë pas lindjes.
“Ato do të kenë mundësi të gjejnë punë më të lehta dhe me kushte më të favorshme, duke u ofruar mundësi punësimi të përshtatshme për nevojat e tyre si prind; Barna falas për nënat dhe fëmijët e porsalindur për një vit. Ky program do të sigurojë që nënat dhe fëmijët e porsalindur të kenë akses të plotë në barna dhe trajtime të nevojshme pa ndonjë ngarkesë financiare; Pagesa për kujdestarët gjatë shtatzënisë që ofrojnë ndihmë, ata do të kenë mbështetje të mjaftueshme gjatë kësaj periudhe të rëndësishme”, tha ajo.
Nako theksoi se kjo paketë masash është një hap i rëndësishëm për të mbështetur familjet dhe për të përmirësuar kushtet e jetesës në vend.
“Me këto iniciativa, synojmë të ndihmojmë në ndalimin e shpopullimit dhe të krijojmë mundësi më të mira për brezat e ardhshëm”, tha Nako.


