Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Mike Pompeo, do të vizitojë disa vende evropiane në kuadër të marrëdhënieve bilaterale dhe interesave rajonale.
![]()
Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Morgan Ortagus, në deklaratën me shkrim lidhur me turneun në Evropë tha se Pompeo së pari do të vizitojë Finlandën më 6 maj, ku do të marrë pjesë në Takimin e 11-të Ministerial të Këshillit të Arktikut ndërsa më pas në Berlin ku do të takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe ministrin e Jashtëm Heiko Maas.
Në takimin mes Pompeos dhe Merkelit më 7 maj do të trajtohen shqetësimet e përbashkëta si Ukraina, Rusia, Kina, Siria dhe Ballkani Perëndimor.
Më tej Pompeo më 8 maj do të qëndrojë në Londër ku do të takohet me kryeministren britanike Theresa May dhe ministrin e Jashtëm, Jeremy Hunt, për të biseduar mbi “prioritetet globale dhe marrëdhëniet bilaterale”.
Pompeo në ditën e fundit të turneut në Evropë, më 9 maj do të vizitojë Grenlandën, ku do të takohet me kryeministrin e vendit Kim Kielsen, ministren e Jashtme, Ane Lone Bagger dhe ministrin e Jashtëm të Danimarkës Anders Samuelse. Në këtë takim do të trajtohen prioritetet e përbashkëta në Polin e Veriut dhe bashkëpunimi më i gjerë me Grenlandën.


