
Presidenti i Bolivisë, Evo Morales, i bëri thirrje popullit të qëndrojnë të bashkuar gjatë një tubimi masiv për demokracinë në kryeqytetin La Paz.
Mijëra bolivianë u tubuan për të mbështetur liderin e tyre të zgjedhur, Morales, si dhe për të mbrojtur demokracinë në vazhdën e kundërshtimit të rezultateve të zgjedhjeve nga opozita.
Morales kritikoi grupet opozitare që nuk pranojnë rezultatet e zgjedhjeve “të ligjshme” dhe i akuzoi ata se po përpiqen të inicojnë një grusht shteti.
“Uniteti gjithmonë do të mposhtë ata që shesin atdheun e tyre, të bashkuar gjithmonë do të ketë më shumë projekte dhe zhvillim të bolivianëve”, tha Morales gjatë fjalimit të tij drejtuar popullit që transmetohej drejtpërdrejtë në rrjetet sociale.
Duke iu referuar liderit të partisë opozitare, Carlos Mesa, që nuk e pranoi humbjen në zgjedhje, Morales tha se “Tani e kuptojmë se nuk ishte mashtrim, por një grusht shteti. Kështu që, ne do të vazhdojmë të mbrojmë atë për të cilën populli votoi”.
Ai theksoi se populli do të triumfojë për të garantuar demokracinë dhe barazinë.
Bolivia është në rrezik të një trazire politike pas pretendimeve të parregullsive në zgjedhjet presidenciale të mbajtura në fund të tetorit.
Mesa tha se nuk do ta njohë fitoren e Morales, duke pretenduar se ka pasur “mashtrim” në numërimin e votave.


