Pretendohet “ndërhyrje ruse” në marrëveshjen Greqi-Maqedoni

Mos i humb

Biznesmenë nga Greqia të afërt me Rusinë pretendohet të kenë shpërndarë para në Maqedoni për të nxitur protesta në këtë vend me qëllim bllokimin e marrëveshjes për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë.

Në një deklaratë të Projektit të Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) thuhet se biznesmeni grek me origjinë ruse Ivan Savvidis, njëherësh kryetar i klubit sportiv PAOK, ka paguar me të paktën 300 mijë euro disa subjekte, përfshirë edhe grupe tifozësh në Maqedoni.

Në deklaratë po ashtu pohohet se paratë e futura në vend në disa mënyra u janë shpërndarë politikanëve nga parti të ndryshme, organizatave nacionaliste radikale dhe një grupi tifozësh të klubit sportiv Vardar.

Ndërkohë, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev në një deklaratë për gazetarët tha se pjesëtarë të grupit “Komitët” të arrestuar gjatë protestave kundër ndryshimit të emrit para Parlamentit muajin e kaluar, në dëshmitë në polici kanë theksuar se “Biznesmenë rusë u kanë dhënë para” dhe se “ata nuk kanë asgjë kundër”.

– Përgënjeshtrim nga Savvidis

Nga ana tjetër, Savvidis përmes një deklarate i quajti si “tërësisht të pavërteta dhe shpifje” pretendimet e shfaqura në media. Po ashtu, ai bëri të ditur se do të hapë padi ndaj mediumit Buzzfeed, i cili publikoi lajmin.

Ivan Savvidis, rus me shtetësi greke, krahas klubit PAOK, posedon edhe disa firma në Greqi. Ai kishte shkaktuar reagime të shumta pas hyrjes me revole në fushën e futbollit gjatë ndeshjes së PAOK-ut për kampionat këtë vit.

Ndryshe, marrëveshja e arritur për zgjidhjen e çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë parasheh që vendi të ndryshojë emrin në “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Me këtë hap, parashihet që Maqedonisë t’i hapet rruga drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, megjithatë disa grupe në Maqedoni dhe Greqi, përfshirë partitë opozitare, kundërshtojnë marrëveshjen.

Më herët Greqia ka vendosur të dëbojë dy diplomatë rusë dhe të ndalojë hyrjen në vend të dy diplomatëve të tjerë, me arsyetimin se “Kanë ndërmarrë hapa që kërcënojnë sigurinë kombëtare të Greqisë”.

Pretendohet se diplomatët rusë përmes biznesmenëve grekë kanë shpërndarë ryshfet deri te grupet e djathta ekstreme, udhëheqësit lokalë dhe disa zyrtarë fetarë./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit