Programi investimeve në sektorin e ujit vijon në zonat rurale

Mos i humb

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi mbledhjen e radhës online, ku shqyrtoi dy projektligje.

Komisioni shqyrtoi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”, nismë e një grupi deputetësh të mazhorancës. Të ftuar ishin zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit Almira Xhambulla dhe stafi shoqërues.

Projektligji u prezantua nga deputeti Fadil Nasufi, i cili në fjalën e tij u shpreh se ky projektligj ka si qëllim rregullimin e disa problematikave që si pasojë e zbatimit të ligjit në terren kryesisht në bashkëpunimin e qeverisjes vendore, komuniteteve dhe administratës së zonave të mbrojtura. Këto ndryshime vijnë në momente të një pjekurie intelektuale te shoqërisë dhe të vendosjes së rregullave të qarta dhe te përshtatshme për të siguruar që vendi ofron një paketë turistike të larmishme, por edhe të qëndrueshme dhe që komunitetet lokale u ofrohet një mundësi e shkëlqyer zhvillimi, duke krijuar vende pune, ekonomi dhe një perspektive rajonale.

“Me ndryshimet e propozuara kërkojmë të bëjmë një harmonizim midis ligjit për zonat me përparësi zhvillimi, të cilat janë prioritete kombëtare, dhe zonave të mbrojtura, për të shmangur mbivendosjen dhe për të pasur një ecuri paralele mes instrumenteve të planifikimit dhe zhvillimit të planeve vendore dhe ndarjes apo përcaktimit të zonave të mbrojtura”, theksoi Nasufi.

Pas prezantimit të projektligjit, diskutimi vazhdoi me pyetje, komente dhe sugjerime të ndryshme.

Po ashtu, komisioni shqyrtoi edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2020, për projektin “Programi i performancës dhe investimeve në sektorin e ujërave, pjesa e dytë (infrastruktura komunale faza V, pjesa II).

Të ftuar ishin zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Hantin Bonati dhe stafi shoqërues.

Ne prezantim të projektligjit, Bonati u shpreh se ky projektligj ka si qëllim të kontribuojë në përmirësimin e sistemeve të furnizimit me ujë të pijshëm, të kanalizimeve të ujërave të përdorura dhe trajtimit të ujërave të përdorura urbane në bashkitë që do të përfshihen në program.

Përcaktimi i bashkive që do të përfitojnë investime do të bëhet sipas prioriteteve të Masterplanit Kombëtar të Ujësjellës-Kanalizimeve, si dhe të nevojës për të përmbyllur investimet e pjesshme të kryera në bashkitë e përfshira në fazat e mëparshme të programit.

Relatorja e çështjes, Edona Bilali theksoi se “Objektivi i programit është të kontribuojë në përmirësimin, si dhe në qëndrueshmërinë e aksesit që do të ketë popullsia e zonave të përfshira në program për ujin e pijshëm, për kanalizimet e ujërave të përdorura dhe pjesërisht për trajtimin e ujërave të përdorura urbane me tarifa të përballueshme, si dhe të kontribuojë në përmirësimin e performancës së shoqërive rajonale të ujësjellës-kanalizimeve për bashkitë që do të përfshihen në program.”

Pas diskutimeve, komenteve dhe sugjerimeve të ndryshme, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, Nen për Nen dhe në tërësi.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit