Projektligji i Pagave rrit hendekun ndërmjet sektorit publik dhe atij privat

Mos i humb

 

Ruajtja e stabilitetit makroekonomik përmes një qasje të kujdesshme në shpenzimin e parasë publike ka rëndësi të madhe në zhvillimin ekonomik afatgjatë të Kosovës.

Në këtë aspekt, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) konsideron se institucionet e vendit kanë për obligim të sigurojnë që ky stabilitet nuk rrezikohet në asnjë rrethanë.

OEAK përmes një njoftimi, thotë se Projektligji për Paga rrezikon qëndrueshmërinë buxhetore si dhe rrit edhe më shumë hendekun e pagesave ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.

“Aprovimi i Projektligjit për Paga në formën aktuale, do të kishte ndikime të konsiderueshme dhe do rriste deficitin buxhetor në vend. Rritja e pjesëmarrjes së pagave në buxhetin e vendit do të ndodhte në kurriz të rënies së investimeve kapitale që janë të një rëndësie shumë të madhe në aspekt të fuqizimit së sektorit privat dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik. Për më tepër, rritja e deficitit padyshim se do të çonte në rritjen e barrës tatimore për bizneset ekzistuese në vend, duke marrë parasysh nevojën për mbledhjen e më shumë të hyrave”, thuhet në njoftimin e OEAK-ut.

Sipas OEAK-ut, Projektligji mbi Paga do të ndikonte negativisht edhe mbi tregun e punës në vend duke dëmtuar tërheqjen e investimeve të huaja direkte

“Krahas ndikimit buxhetor, Projektligji mbi Paga do të ndikonte negativisht edhe mbi tregun e punës në vend. Sektori privat nuk mund të ndjekë ritmin e institucioneve në rritjen e pagave, meqë pagat në këtë sektor përcaktohen nga forcat e tregut dhe produktiviteti i fuqisë punëtore. Rritja e hendekut të pagesave do të nxiste edhe më shumë fuqinë punëtore që të konsiderojnë sektorin publik si punëdhënësin e preferuar, duke përkeqësuar edhe më tej situatën për sa i përket boshllëkut të shkathtësive të fuqisë punëtore në sektorin privat, kjo tashmë e raportuar si njëra ndër pengesat më të shprehura në të bërit biznes. Të gjitha këto elemente do të dëmtonin prospektet për zhvillim të sektorit privat si dhe tërheqje të investimeve të huaja direkte”, vijon njoftimi.

Oda Ekonomike Amerikane kërkon nga Qeverisë së Kosovës të tregohet e kujdesshme me nivelet e propozuara të pagave në Projektligjin mbi Pagat, gjithnjë duke u bazuar edhe në rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Në fund, Oda Ekonomike Amerikane kërkon dialog nga Qeveria për dialog më aktiv me organizatat që përfaqësojnë interesat e sektorit privat dhe shoqërinë civile lidhur me fuqizimin e sektorit privat në vend./Kp/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit