
Dhoma e Apelit e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) vendosi që prokurori i GJNP-së duhet të rishqyrtojë vendimin për të nisur apo jo një hetim për incidentin e vitit 2010 me anijen humanitare Mavi Marmara që ishte nisur për në Gaza.
“Dhoma e Apelit megjithatë pohoi se ‘vendimi përfundimtar’ nëse do të niset apo jo një hetim i takon Prokurorit”, njoftojnë nga GJNP në rrjetin social Twitter.
Në të gjithashtu thuhet se prokurori duhet të vendosë nëse do të rishqyrtojë vendimin deri në 2 dhjetor.
Lënda filloi në vitin 2013 kur shteti Komoros që ndodhet në Oqeanin Indian, nën flamurin e të cilit lundronte anija Mavi Marmara, kërkoi nga prokurori i GJNP-së që të hetojë sulmin vdekjeprurës.
Prokurori i GJNP-së më herët vazhdimisht kishte vendosur që të mos e hetojë sulmin.
Njëra nga avokatët e Mavi Marmarasë, Gülden Sönmez, për Anadolu Agency (AA) tha se janë të lumtur për vendimin e Dhomës së Apelit.
“Ne shpresojmë se kriminelët izraelitë do të sillen para drejtësisë në këtë gjykatë”, tha ajo.
“Të gjitha viktimat dhe familjet e dëshmorëve presin vendimin e prokurorit për të filluar një hetim”, theksoi Sönmez.
Gjashtë anije civile në një flotë turke të ndihmës u sulmuan nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare më 31 maj të vitit 2010, pasi ata u përpoqën të thyenin rrethimin izraelit në Rripin e Gazës.
Tetë shtetas turq dhe një amerikan me origjinë turke u vranë në incident, ndërsa 30 të tjerë u plagosën, duke përfshirë edhe një person që iu nënshtrua plagëve gati katër vite pas incidentit.


