Prokurori i Shtetit duke komentuar deklaratat e deputetit Rexhep Selimi, ka rikujtuar se organet kompetente kushtetuese vendore, (të mbikëqyrura nga EULEX-i, kanë nxjerrë vendim ligjor i cili vërteton se kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, e ka dhënë në mënyrë të rregullt provimin e jurisprudencës.
Prokuroria nëpërmjet një komunikate ka ftuar përfaqësuesit e zgjedhur të popullit që të përmbahen nga deklarime të pavërteta dhe në kundërshtim me vendimet legjitime të organeve shtetërore.
“Këta përfaqësues do të duhej të promovojnë respektimin e ligjit dhe vendimeve të organeve shtetërore dhe jo të japin deklarata paushalle, të pabazuara dhe qëllimisht tendencioze. Këto fjalime politike përbëjnë një praktikë negative të cilat dëmtojnë drejtuesit e institucioneve dhe zbatimin e ligjit nga institucionet e pavarura kushtetuese si dhe mund të konsiderohen ndërhyrje në kryerjen e funksioneve në mënyrë të pavarur dhe objektive, mbi parimet e ligjshmërisë dhe barazisë para ligjit.
Në fund sigurojmë se institucioni i Prokurorit të Shtetit, nuk do të mbështes asnjë individ që ka shkelur apo do ti shkel ligjet e këtij vendi, por Prokurori i Shtetit punon dhe do të vazhdojë të punoj në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjit e jo sipas pritjes së personave të caktuar”, thuhet në reagimin e prokurorisë./Kosova Post/


